Rama urdhëron që njerëzit e LSI të pastrohen nga administrata

0

Zbardhet udhëzimi i kryeministrit Edi Rama për degët e PS. Partia Socialiste do të nisë gjatë këtyre ditëve një valë shkarkimesh ndaj të gjithë militantëve të LSI, që vijojnë të punojnë në administratë. Të hënën, Partia Socialiste ka shpërndarë një udhëzim në të gjitha degët, përfshirë këtu edhe prefekturat dhe drejtoritë, ku u ka kërkuar që të nisë largimi nga administrata i të gjithë militantëve të LSI si dhe të nisë punësimi i të gjithë socialistëve të papunë. Kjo për faktin se shumë socialistë, gjatë turit të llogaridhënies së kryeministrit Edi Rama, janë shprehur para këtij të fundit, të pakënaqur për faktin se nuk po hyjnë akoma në punë, ndonëse kanë dhënë një kontribut të madh gjatë fushatës zgjedhore të 2017-ës. Madje, ata kanë shprehur gjithashtu rezerva ndaj kreut të qeverisë, pasi, sipas tyre, gjatë këtij mandati edhe pse PS është e vetme në qeverisje shumë militantë të LSI vijojnë të punojnë në administratë. Kërkesë, që sipas informacioneve, socialistët e kanë pasur si kryefjalë ankesash edhe në takimet që degët e PS kanë organizuar gjatë këtyre kohëve në zona të ndryshme. Por pikërisht këto ankesa të bëra nga ana e socialistëve, kanë ndikuar që kryeministri të urdhërojë shkarkimin e të gjithë militantëve të LSI. Madje, ai ka urdhëruar që përpara se të nisë vala e shkarkimeve fillimisht të bëhen verifikime ndaj të gjithë këtyre punonjësve me qëllim që të identifikohen shkeljet që atë kanë bërë në administratë. Kjo për faktin se, sipas informacioneve, militantët e LSI kanë bërë shumë shkelje në administratë dhe shumica e tyre tashmë është identifikuar. Ndërkaq, në udhëzim thuhet se deri në fund të turit të llogaridhënies, pra deri në fund të qershorit, në administratë nuk duhet të ketë asnjë militant të LSI.

PS urdhër të largohen “tradhtarët”

Fshesa e shkarkimeve që do të nisë gjatë këtyre ditëve në administratë nuk do të prekë vetëm militantët e LSI. Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar që përveç militantëve të LSI, të merren masa të rrepta edhe ndaj të gjithë punonjësve që kanë bashkëpunuar me LSI-në gjatë zgjedhjeve të 2017-ës. Ai ka kërkuar që të kryhen verifikime ndaj të gjithë punonjësve që gjatë fushatës zgjedhore ndonëse janë deklaruar si militantë të Partisë Socialiste kanë kontribuar për LSI-në. Kjo për faktin se duke parë që zgjedhjet vendore janë afër, kreu i qeverisë nuk dëshiron që partia e tij të pësojë ndonjë goditje pas shpine nga ana e këtyre punonjësve. Por veç kësaj, në udhëzimin e PS të mbërritur në bazë, thuhet gjithashtu që të shkarkohen edhe të gjithë drejtorët, ndaj të cilëve ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve pranë degëve të PS apo dhe në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, pavarësisht kahut politik që këta të fundit kanë.

Turi i llogaridhënies

Në fillim të muajit maj kryeministri Rama në kuadër të platformës së bashkëqeverisjes ndërmori një tur takimesh llogaridhënie me banorët në çdo njësi administrative në vend. Në kuadër të këtij turi kryeministri Rama ka paralajmëruar të gjithë ministrat dhe drejtorët se do të mbajnë përgjegjësi ndaj çdo ankese të shfaqur nga ana e qytetarëve. Madje ai gjatë këtij turi, ka ndërmarrë dhe një valë shkarkimesh në radhët e drejtorëve të institucioneve të ndryshme. Kjo për faktin se shumë qytetarë ia kanë ngritur një sërë ankesash në lidhje me mënyrën sesi këta të fundit kanë drejtuar. Ankesa që më së fundi kanë prekur edhe militantët e LSI që operojnë në administratat publike. Kjo për faktin se këta të fundit kanë bërë shumë shkelje dhe abuzime në institucionet që operojnë. /Endri Arizi

Komentet

komentet