Rama zbardh heshtjen e deritanishme për kufijtë dhe vlerëson Berishën

0

Kryeministri Rama ka folur për herë të parë mbi çështjen e nxehtë të kufijve, duke zbardhur dhe të qënit e tij në hije gjithë këto kohe, ç’prej nisjes së debatit. I ftuar në Open në TCH, me gazetaren Eni Vasili, Rama sqaroi pozitën e tij në këtë çështje, ku nuk pranoi të thoshtë as është pro e as se është kundër, porse për të kjo është një çështje aq e thellë, aq delikate, aq e mprehtë, e aq historike për shqiptarët, sa do duhej me patjetër një strategji e mirëpërgatitur nga i gjithë faktori mbarëshqiptar.

“I takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarë që më takon të flas dhe të bëj komentatorin sepse njëra anë në Kosovë ka një debat mbi një ide dhe jo mbi një platformë. Ndjej detyrimin që të respektoj deri në fund Kosovën dhe autoritetet e saj. Isha shumë i qartë kur thashë se kam folur dhe do flas sa herë është e nevojshme për Kosovën dhe as kam folur dhe as do flas në emër të Kosovës. Është e paudhë për mua që të bëj komentatorin. Na duhet shumë më tepër se sa debati i radhës”, tha Rama.

Kryeministri i bëri apel gjithë faktorit politik, në Shqipëri e Kosovë, për t’u ulur, për të parë, për një sfidë mjaft të madhe, siç është e ardhmja e Kosovës.

“Duhet të bëjmë një diskutim të brendshëm strategjik dhe këtë duhet ta bëjnë ata që e drejtojnë Kosovën. Dhe këtë nuk po e shoh që ata ta bëjnë. Shqiptarët duhet të diskutojnë si burra të kuvendit dhe jo hidh e prit në televizion vetëm për t’u konfliktuar. Ne kemi humbur sepse nuk kemi ditur si të sillemi me historinë”, theksoi Rama.

Sepse siç tha ai, “çështja e kufirit është mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar”.

Sa për takimet e Berishës me faktorin kosovar, Rama u shfaq mirëkuptues, por për vetën rezervoi tjetër logjikë.

“Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Kjo është një çështje ku luhet fati jo i Kosovës, por i kombit shqiptar dhe mund të bëhen gabime shumë të rënda”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera, ai vlerësoi protagonizmin e Berishës në këtë çështje, kur tha se “ai është lideri de fakto i opozitës, është ish-kryeministër, është faktor në zhvillimet shqiptare dhe ka eksperiencën e duhur…”.