Ish deputeti mendon se me instrumente politike dhe diplomatike, mund të bëhen ndryshimet kushtetuese
Ismet Ramadani nga Këshillit Euro-Atlantik dhe ish-deputet, thotë se forca të ndryshime pro-ruse po tentojnë që të pengojnë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE).
“Po tentohet në forma të ndryshme të propagandës të forcave pro-ruse të pengohet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE. Tani publikisht këtë koncept po e propagandon Levica dhe disa qarqe në VMRO-DPMNE, si dhe përkrahës të tyre. Por nuk e besoj se kanë aq kapacitet të përsërisin skenarin malazez. E para,forcat progresive pro evropiane janë dominonte në Maqedoninë e Veriut. E dyta, partitë politike shqiptare e fuqizojnë përcaktimin euro-atlantik dhe janë në krah të forcave politike progresive maqedonase të udhëhequra nga LSDM. Kuptohet, këtu rol shumë të rëndësishëm ka ShBA dhe BE. Mendoj se do të gjenden instrumente politike dhe diplomatike që të ndodhin ndryshimet kushtetuese. Forcat pro-evropiane duhet të jenë më vigjilente dhe me ofensive në promovimin dhe praktikimin e vlerave euro-atlantike si alternativë e pazëvendësueshme për Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Ramadani për Indeks.mk
Tashmë është bërë e ditur se shumica parlamentare do të fillojë me konsultime të përgjithshme për sa i përket ndryshimeve kushtetuese për futjen e komunitetit bullgar dhe disa komuniteteve tjera në Preambulën e Kushtetutës, për t’i hapur rrugë euro-integrimit të vendit, shkruan Indeks.mk
Për këtë qëllim përfaqësues nga shumica parlamentare do të takohen me liderë të partive politike, përfaqësues të sektorit civil, ekspertë etj. Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani shprehi druajtje se nëse deri në nëntor nuk sillen ndryshimet kushtetuese, vendi mund të hyjë në ndonjë ‘skenar malazez’.
“Nuk duhet të humbim kohë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, pasi qëndrimi im është se nëse na kap nëntori pa ndryshimet e bëra në Kushtetutë, do të ndërpriten negociatat dhe do ta humbim momentin, e humbja e momentit është një nga punët më të këqija që mund t’ju ndodh në rrugën evropiane dhe druaj se do të hyjmë në ndonjë ‘skenar malazez’, pas çka do të jetë shumë vështirë të kthehemi, me të gjitha implikimet brenda dhe jashtë ndaj imazhit të shtetit”, deklaroi në brifingun e fundit me gazetarët shefi i Diplomacisë, Bujar Osmani.
Që të sillen ndryshimet kushtetuese, që do të nënkuptojnë edhe ndryshim të Preambulës, nevojiten 80 vota përkatësisht shumicë prej dy të tretave. Ndryshimet kushtetuese dolën nga propozimi francez dhe me të në Kushtetutë duhet të futen bullgarët, por jo vetëm ata edhe disa komunitete tjera.
Nga opozitarja VMRO-DPMNE për Indeks.mk thonë deri më tani nuk kanë marrë ftesë për bisedime për ndryshimet kushtetuese dhe se ata nuk do të refuzojnë takimin, por do të përsërisin se nuk do të mbështesin ndryshime kushtetuese.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq paraprakisht ka deklaruar se pret konsensus të përgjithshëm për çështje që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të vendit. Sipas tij, qytetarët mbështesin anëtarësimin në BE, dhe shton se vendi duhet të ecë nëpër rrugën evropiane, si rrugë e vetme në të cilën mund të transformohet shoqëria e vendit sipas vlerave dhe standardeve evropiane dhe e cila sjellë stabilitet, prosperitet, mundësi të reja dhe mjete të pakthyeshme nga fondet evropiane.
“Çdo zhvendosje nga rruga evropiane, ndërkaq kjo do të ndodhë nëse opozita nuk jep mbështetje për ndryshimet kushtetuese, do të jetë vetëm pasiguri, paqartësi, krizë politike dhe vendosje e sërishme e Maqedonisë së Veriut në sallën e pritjes. Bllokada e ardhshme mund të jetë VMRO-DPMNE”, thotë Mariçiq.(Indeks.mk)