Raporti i Komitetit të Inteligjencës: Trump abuzoi me pushtetin

0

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve parashtruan të martën raportin e tyre lidhur me shkarkimin e Presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë për përdorimin e kompetencave që i jep posti i tij për të kërkuar ndërhyrje nga një qeveri e huaj për zgjedhjet e vitit 2020. Në raportin e komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, që udhëhoqi hetimet që nisën zyrtarisht në shtator, thuhej gjithashtu se presidenti republikan ka penguar hetimin.

Komisioni pritet të mblidhet më vonë gjatë ditës së sotme për të votuar mbi raportin. Më pas çështja do t’i kalojë komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve që do të nisë veprimtarinë mbi këtë çështje të mërkurën.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votonte pro akuzave për shkarkimin e presidentit, çështja do t’i kalonte për gjykim senatit ku për shkarkimin e tij do të nevojiteshin votat e dy të tretës së senatorëve të pranishëm.

Pjesë e diskutimit është çështja nëse presidenti Trump ka shpërdoruar detyrën duke i bërë presion Ukrainës që të hetojë ish-nënpresidentin amerikan Joe Biden, një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Zoti Trump ka mohuar të ketë shkelur ligjin dhe ka akuzuar demokratët se kanë përdorur hetimet për të përmbysur rezultatin e zgjedhje të 2016.

Sondazhet tregojnë se amerikanët janë të ndarë lidhur me qasjen e tyre ndaj procesit për shkarkimin e presidentit Trump.

Ligjvënësit dhe publiku kanë dëgjuar dëshmi nga zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë se ndihma ushtarake ndaj Ukrainës u pezullua dhe se një takim në Shtëpinë e Bardhë i Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ishte kushtëzuar me nisjen e hetimeve nga Kievi rreth një teorie të pafaktuar se Ukraina ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të 2016-s./VOA