Raporti i revizionit për gjendjen në Postën e Maqedonisë, i cili zbuloi një sërë parregullsish dhe rritje të paligjshme të pagave për drejtorët, ka mbërritur në Prokurori, konfirmojnë nga atje për Televizionin 24, transmeton Portalb.mk.
Sindikata e të punësuarve në Postë thotë se janë të revoltuar dhe të zhgënjyer nga drejtorët që i kanë ngritur pagat ndërsa punëtorët vazhdimisht hasin probleme në pagesën e rregullt dhe punën për paga minimale.
Derisa punëtorët e SHA Posta e Maqedonisë ishin në grevë me muaj të tërë për paga të ulëta të papaguara dhe të parregullta, tashmë ish drejtoresha Bujare Abazi, zëvendësja e saj dhe drejtorët e drejtorive në mënyrë të kundërligjshme i ngritën pagat për rreth 50 përqind, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit. Auditorët konstatuan se rritja e pagave në shtator të vitit të kaluar ishte e paligjshme, pasi kompania ka vite që shënon humbje, më e madhja prej të cilave është 3.7 milionë euro.
“Sipas ligjit, në rast të uljes së fitimeve ose përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes financiare të kompanisë, kompensimi i pagës dhe përfitimet e tjera të parashikuara nga kontrata e menaxhimit mund të reduktohen”, thuhet në raportin për punën e Postës në vitin 2023.
Sindikata e Postës së Maqedonisë më 14 prill njoftoi se në bashkëpunim me punëtorët dhe me angazhimin e ekspertëve do të përgatisë sistematizim të ri që do t’ia dorëzojë qeverisë së re me kërkesë që të aplikohet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare. Sindikata ankoheJ se as Bordi Drejtues dhe as Qeveria si themelues i kompanisë nuk iu përgjigjën thirrjeve të tyre për zgjidhjen e kushteve të këqija në Postë.
Posta është në prag të ekzistencës, tha atëkohë kryetari i sindikatës Boro Veligdenov në një konferencë për shtyp para Qeverisë, duke shtuar se janë në rrezik mbi 2000 vende pune.
Sipas tij, është e rëndësishme që politika e keqe kadrovike dhe partizimi të mos vazhdojë, ndërsa si problem kyç e vuri në dukje sistematizimin.
Punonjësit e Postës së Maqedonisë me 18 mars, dolën në protestë dy orëshe për, siç thanë ata, gjendjen e rëndë financiare të shoqërisë aksionare. Punonjësit nuk e kishin marrë rrogë, ndonëse afati ligjor kishte kaluar. Ata thanë se kjo situatë vjen si pasojë e mbipunësimit në administratë dhe në pozita drejtuese.
“Kemi shef për çdo të punësuar”, tha atëkohë kryetari i sindikatës së Postës së Maqedonisë, Boro Veligdenov.
Ndryshe, Studimi i Fizibilitetit të Postës së Maqedonisë së Veriut të kryer në vitin 2021, për të cilin shteti ka paguar afër 800 mijë euro, zbuloi gjetje skandaloze. Organizimi dhe menaxhimi i dobët i Postës në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, mungesa e digjitalizimit, puna manuale dhe gabimet njerëzore në raportet financiare, mungesa e një sistemi të njëjtë të punës dhe punëtorë të papërgjegjshëm që nuk shkojnë në punë, ishin disa nga gjetjet e Studimit.