Rasti “Besa Trans” ende pa epilog, dëshmoi sot njëri nga shoferët e kompanisë

Picture of Ina Online
Ina Online

15/11/2023

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot vazhdoi gjykimi për rastin “Besa Trans” në të cilin kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit i cili në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur. Si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar. Para Gjykatës, sot dha deklaratë dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, i cili paraprakisht ka punuar si shofer në këtë kompani, raporton Portalb.mk.

“Kam punuar me periudha, por nuk më kujtohet se në çfarë periudhë kam punuar. Tanimë nuk punoj atje”, u përgjigj dëshmitari Naser Imerov, ndaj pyetjes së avokatit të “Besa Trans”, Asmir Alispahiq, nëse gjatë vitit 2022 ka punuar si shofer në këtë kompani.

Ai shtoi se ka vozitur në linja lokale dhe ndërkombëtare, me autobusë të ndryshëm të kompanisë.

I pyetur nëse e ka vozitur autobusin e aksidentuar në Bullgari, gjegjësisht autobusin me targa SK0284BA, ai tha se tabelat e autobusëve që ka vozitur nuk i mban mend.

I pyetur për relacionet që ka vozitur, ai tha se ka vozitur për në Shqipëri, në relacionin Shkup-Durrës nëpërmjet pikës kufitare Bllacë, por nuk ka kaluar me autobus nëpërmjet pikës kufitare “Deve Bair” – Bullgari.

“Gjatë vitit kam shkuar 2-3 herë në relacionin Shkup-Durrës”, u përgjigj Imerov në pyetjen e avokatit.

Megjithatë, ish shoferit nuk i kujtoheshin targat se me cilin autobus i ka kryer udhëtimet në Shqipëri.

“Për autobusin e di që ka qenë “Mercedes turismo”, por targat s’më kujtohet”, shtoi Imerov.

Avokati vazhdoi me pyetje për atë nëse gjatë kalimit në pikat kufitare kanë pasur probleme me dokumentacionet, për çka tha se nuk kanë pasur asnjëherë probleme.

Në pyetjen për atë se cilat dokumente i kanë dhënë tek autoritetet doganore, Imerov numëroi dokumentet e nevojshme që një autobus duhet t’i ketë që të kalojë pikën kufitare.

“E kam dorëzuar certifikatën time si shofer, lejen e kompanisë, licencën e kompanisë, interbusin, urdhër udhëtimin dhe vërtetimin mjekësor. Këto janë dokumentet e nevojshme”, tha Imerov, pas çka avokati i parashtroi pyetje shtesë nëse këto dokumente i kanë poseduar të gjithë autobusët që i ka vozitur, pas çka Imerov tha po.

Shoferi tha se të gjitha kontaktet i ka pasur me Bedri Haxhiun (vëllain e pronarit të Besa Trans, Bekim Haxhiu), ndërkaq me pronarin nuk ka pasur kurrëfarë kontakti dhe as i ka dhënë ndonjë dokument për autobusët.

Ai shtoi se autobusët kanë qenë teknikisht të gjithë në rregull, pasi që siç tha, para nisjes, ata si shoferë i kanë kontrolluar dhe më pas janë nisur.

Pas pyetjeve direkte të avokatit, vazhdoi me pyetje të kryqëzuara prokurori i lëndës Vlladimir Milloshevski.

“A pajtoheni me mua se në autobus nuk kanë qenë licencat, por certifikatat e licencave?”, pyeti prokurori, pas çka dëshmitari Imerov tha “Ato dokumente që kanë qenë në autobus që duhet të tregohen në kufi, ato kanë qenë. Nëse nuk i kemi pasur ato, kufirin nuk do të mund ta kalonim sepse nuk na lëshonin”.

“A mund të konkludoj se nuk mund të bëni dallim mes licencës dhe certifikatës së licencës?”, vazhdoi me pyetjen e radhës prokurori, për çka mori përgjigje “po certifikata dhe licenca e certifikatës janë të ndryshme”.

“Kjo do të thotë se në autobus kishte edhe certifikatë të licencës që e keni vozitur?”, pyeti prokurori, për çka Imerov tha “po”.

Pas mbarimit të pyetjeve të prokurorit, avokati Alispahiq tha se për sot është dashur të dëshmojë edhe dëshmitari tjetër, Ismet Zekiri, por i njëjti tanimë nuk jeton në vend, por është zhvendosur në Austri. Për këtë, Alispahiq tha se e tërheqin dëshminë.

Gjyqtari insistoi që seanca të mos mbarojë vetëm me deklaratën e një dëshmitari, por të vazhdojë me marrjen në pyetje të pronarit të kompanisë Bekim Haxhiu, të cilën e ka propozuar vetë avokati i Haxhiut. Megjithatë, mbrojtja insistoi se për këtë seancë nuk janë të përgatitur dhe nuk ka folur fare me të akuzuarin.

“Kërkoj anulim të seancës që ta përgatis të akuzuarin për marrje në pyetje, duke e pasur parasysh se i njëjti është propozuar për marrje në pyetje në listën e provave të dorëzuara në gjykatë”, pas çka, gjykatësi pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe anuloi gjykimin.

Seanca e radhës, do të vazhdojë më 1 dhjetor, në ora 10.

Për çfarë akuzohet “Besa Trans” dhe pronari i saj?

Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.

TË FUNDIT

Ja sa pension mund të merrni pas pesë vitesh punë në Gjermani

Shkupi humb nga Gostivari, Struga e fiton Besën

“Ma kthe adresën, stop diskriminimit”, shqiptarët protestuan në Medvegjë (VIDEO)

Ministria e Energjisë ndan 6000 vauçer për kondicionerë inverter

Saraçini: Partitë kanë sistemet e tyre paralele mediatike

Snopçe në SHBA, si mbikëqyrës në zgjedhjet presidenciale në Uashington D.C dhe në Virginia

ME TE LEXUARA

1
Ja sa pension mund të merrni pas pesë vitesh punë në Gjermani
1
Shkupi humb nga Gostivari, Struga e fiton Besën
1
“Ma kthe adresën, stop diskriminimit”, shqiptarët protestuan në Medvegjë (VIDEO)
1
Ministria e Energjisë ndan 6000 vauçer për kondicionerë inverter
1
Saraçini: Partitë kanë sistemet e tyre paralele mediatike

LEXO MË SHUMË

Ja sa pension mund të merrni pas pesë vitesh punë në Gjermani

Shkupi humb nga Gostivari, Struga e fiton Besën

“Ma kthe adresën, stop diskriminimit”, shqiptarët protestuan në Medvegjë (VIDEO)

Ministria e Energjisë ndan 6000 vauçer për kondicionerë inverter

Saraçini: Partitë kanë sistemet e tyre paralele mediatike

Snopçe në SHBA, si mbikëqyrës në zgjedhjet presidenciale në Uashington D.C dhe në Virginia