Rasti “Kumanova”, enigma mbetet e pazgjidhur

0

Më 2 nëntor Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm.

Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg: Esat Kafegjolli ,Adrian Bujari,Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn , Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Recica. Përderisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg. Të dënuarit me nga 20 vjet burg janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini. Kurse të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqjen lirie, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet burg. Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Më 20 nëntor Shkupin e viziton Presidenti shqiptar Ilir Meta. Ai pati takim me homologun e tij maqedonas, Gjorge Ivanov.

Raportet mes vendeve fqinje janë ekzistenciale për perspektivat euroatlantike, si për Shqipërisë dhe Maqedonisë ka thënë presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, pas takimit që ka realizuar me homologun e tij maqedon, Gjorgje Ivanov.

Meta u falënderua edhe për njohjen e Kosovës nga Maqedonia, duke theksuar se Maqedonia nuk e ka pas të lehtë të marrë një vendim të tillë.

“Do të bëja një falënderim të veçantë për njohjen që Maqedonia i ka bërë Kosovës, që nuk ka qenë një vendim i lehtë, por ka qenë një vendim shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë rajonale”, ka thënë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Presidenti shqiptar Ilir Meta theksoi se pret hetime dhe procese gjyqësore transparente, përfshirë këtu edhe për rastin gjyqësor për ngjarjet e Kumanovës./Zhurnal.mk