Rasti “Monstra”, dëgjohen biseda të përgjuara, mes tyre edhe të ish-funksionari të BDI-së

0

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin e Smilkovës ka vazhduar leximi i transkripteve nga përgjimet e realizuara nga Shërbimi sekret DSK si dhe SMS-të. Nga bisedat që janë publikuar nuk u krijua përshtypja se po zbardhen detaje të reja për këtë rast që ndodhi në vitin 2012, shkruan Fokus. Nga bisedat e lëshuara, shumica prej tyre ishin të personave që ishin thirrur në stacionet policore dhe ishin mbajtur 24 orë, që më pas janë lënë të lirë. Janë lëshuar biseda edhe të shkupjanit Nexhmedin, nga servisi i të cilit janë vjedhur targat e një makine dhe i janë vendosur “Opel Omega”-s, e cila doli se ishte shfrytëzuar nga personat që kishin kryer veprën. “Të them të drejtën ishin shumë keq, por tani jam mirë. Isha në Greqi dhe në hyrje të vendit tonë më ndaluan. Më dërguan në stacion dhe më pas më lëshuan, por donin të më montonin shumë punë. Kam pasur një makinë të vjetër Mercedes, e parkuar prapa servisit. I kanë grabitur targat dhe ia kanë vendosur asaj makine. Më thanë se ti i ke organizuar dhe ke ikur. Por tani u qartësuan punët”, theksonte Nexhmedini në një bisedë që zhvillonte me një person të panjohur. Në një bisedë tjetër dëgjohet edhe zëri i Bekir Asanit, funksionarit të BDI-së, përcjellë Fokus. Një bashkëbisedues e informonte ate se ka qenë në stacion policor me nënën e tij, por tani është liruar. Ai kërkonte ndihmë nga Asani. Në gjykatë janë lëshuar dhe lexuar edhe biseda të Alil Demirit, e regjistruar dhjetë ditë pas ngjarjes. Nga biseda nuk ka asgjë të dyshimtë, por bëhet fjalë për bisedë të përditshme. Më 21 prill 2012, Demiri flet edhe me nënën e tij. (INA)