Rasti “Monstra”, dëshmitari E1 sot para trupit gjykues

0

Sot në Gjykatën Penale, do të mbahet seanca e radhës e rastit “Monstra” në të cilën opinioni do të mundet ta dëgjojë deklaratën e dëshmitarit të fshehur, njofton Portalb.mk.

Në seancë do të marrin pjesë, trupi gjykues, prokurorët special, avokatët, gazetarët, por edhe familjarët e të akuzuarve dhe fëmijëve të vrarë. Dëshmitari nuk do të mund të shihet, pasi që ai do të dëshmojë në kushte dhe kritere të veçanta. Ai do të shfaqet në një monitor, me fytyrë të mbuluar dhe do të flet me zë të ndryshuar.

Dëshmitari i mbrojtur apo i njohur me emrin e koduar “E1” u propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012.

Në dëshminë e gjykimit të parë, E1 ka deklaruar se disa ditë përpara vrasjes, ai i ka parë të pandehurit Sami Luta, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviq në Liqenin e Smillkovës disa herë në orën 6 të mëngjesit dhe 6 të pasdites, duke pretenduar se po vëzhgonin vendin.

Megjithatë mbrojtja argumentoi se E1 nuk ishte i besueshëm sepse ai identifikoi burrat e gabuar në fotografi dhe ka dhënë dëshmi kontradiktore rreth pamjes së të pandehurve, duke pretenduar se ata kishin mjekra të gjata, që sipas berberit të tyre nuk ishte e vërtetë.

Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë një ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili pas heqjes dorë nga ky status, u bë pjesë e të akuzuarve për vrasjen, transmeton Portalb.mk.

Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.

Komentet

komentet