Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka refuzuar ankesat e të dënuarve Agim Ismailoviq, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri në rastin “Monstra”.
Nga Gjykata thonë se ankesat janë të pabaza ndërsa është vërtetuar vendimi i Gjykatës së Apelit në lidhje me rastin.
Edhe Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2022 i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të pandehurve në rastin “Monstra”, si dhe i ka vërtetuar dënimet e të dënuarve, përkatësisht burgim të përjetshëm për Alil Demirin dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq.
Në aktgjykim të formës së prerë u vërtetua dënimi për Haki Azirin, i cili u dënua me nëntë vjet burg dhe Fejzi Aziri me 15 vjet burg. Vetëm i pandehuri Sami Luta mori pafajësi. Aktgjykimi i shkallës së parë është ndryshuar nga gjykata e shkallës së dytë vetëm në lidhje me ndërhyrjen në masën e paraburgimit që të pandehurit iu nënshtruan.
Vrasja e pesëfishtë ndodhi më 12 prill 2012 në afërsi të liqenit të Smilkovës, kur u vranë Filip Slavkovski, Aleksandar Nacjevski, Cvetanço Atskovski dhe Kire Trpkovski, si dhe peshkatari Borçe Stevkovski.
“Monstra” ka pasur dy gjykime që kur Gjykata Supreme e ka kthyer rastin në Prokurorinë Speciale Publike në vitin 2017.
“Monstra” fillimisht u rikthye në gjykim në vitin 2017, ndërsa nga gjithë procesi i rigjykimit nga akuza u lirua vetëm Sami Luta. Ndërkaq për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës për veprën “terrorizëm” me burg të përjetshëm u dënua Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, dy të parët ndodhen në arrati në Kosovë. Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë” ndërsa Haki Aziri me 9 vite burg, gjithashtu për “ndihmë”. (INA)