Rasti “Perandoria”, Mijallkov paguan 6.1 milionë euro dhe do të vuaj vetëm 3 vite burg

Ish-shefi i shërbimit sekret, Sasho Mijalkov, e pranoi fajësinë për rastin “Perandoria”, duke arritur një pajtueshmëri me Prokurorinë për Krim të Organizuar.

Sipas marrëveshjes së dakorduar me prokurorinë, Mijalkov dënohet me 3 vjet burg dhe do të duhet të paguajë 6.1 milionë euro para të gatshme për pjesën e tij që ka në hotelin “Marriott” në Shkup. Atij po ashtu i është konfiskuar pasuri me vlerë rreth 30 milionë euro.

Prokuroria para disa muajsh ngriu pronën e ish-shefit të policisë sekrete, Sasho Mijalkov, gjegjësisht aksionet e tij në hotelin e famshëm Shkup Marriott, si dhe banesat dhe garazhet në Shkup me sipërfaqe mbi 800 metra katrorë. Konkretisht, bëhet fjalë për 25 banesa dhe parcela afër hotelit Meriot.

Në prill të këtij viti edhe biznesmeni Orce Kamçev ka nënshkruar marrëveshje dhe ka pranuar fajësinë për rastin “Perandori”, për të cilin është dënuar me një vit burg, ndërsa shtetit i pagoi mbi 5.2 milionë euro.

Rasti “Perandoria” u hap në vitin 2018 nga ish-Prokuroria Speciale ku Mijallkov ngarkohej me veprat për bashkveprim kriminal, dëmtim apo fuqizim kreditorësh, shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim dhe pastrim parash si dhe veprime të tjera të veprës penale. Përveç Kamçevit dhe Mijallkovit si të dyshuar të parë, në hetim janë përfshirë edhe 11 persona të tjerë. (INA)