Rasti “Sazdovski”në Gjykatën e Apelit, mbrojtja: Nuk ishte vrasje, presim rigjykim

0

Ankesat për aktvendimin e shkallës së parë për rastin “Sazdovski” u shpalosën para Gjykatës së Apelit. Avokati mbrojtës i të akuzuarit Besir Bela, Naser Raufi, edhe një herë sqaroi se të akuzuarit nuk kanë pasur për qëllim vdekjen e Nikolla Sazdovskit. Sipas tij, bëhet fjalë për vepër penale “dhunë me pasojë vdekjen” dhe jo “vrasje mizore”, për çka dhe u dënuan nga shkalla e parë.

Raufi shpreh shqetësimin se edhe ky rast, pas protestave të atëhershme nga grupi i tifozëve “Komitët”, është i ndikuar politikisht nga arsyeja e vetme që prokuroria ndryshoi kualifikimin e veprës që kishte në fillim duke e vlerësuar si një ndër veprat më të rënda penale “vrasje mizore”. Mbrojtja pret rigjykim të rastit.

“Shpjeguam praktikisht që në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për deliktin e vrasjes assesi, por bëhet fjalë për një tjetër vepër penale të cilën praktikisht edhe të akuzuarit e pranojnë, është dhunë me pasojë vdekjen, por jo vrasje. Mendoj që Gjykata e Apelit do ta pranojë kërkesën tonë dhe lënda do të rikthehet, ku do të kemi një gjykim më të drejtë, pasi që trupi gjyqësor i gjykimit të parë, gjegjësisht, gjykimi nuk ka qenë sipas ligjit dhe se mbrojtjes nuk i janë dhënë shumë të drejta që i takojnë sipas Ligjit për Procedurë Penale. Jam i sigurt që ka ndikim të politikës.”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Ndërkohë, prokurori nga Prokuroria e Lartë, Jovan Stefanovski, kërkoi që ankesat e mbrojtjes të mos pranohen. Ai kërkoi që vendimi i shkallës së parë të vërtetohet, por jo dhe të shqiptohet dënim maksimal sikurse kishte kërkuar Prokuroria Themelore. Të akuzuarit, Besir Bela dhe Skender Demiri, të cilët u dënuan me nga 19 vite burg nga shkalla e parë, para trupit gjykues thanë që kualifikimi i veprës “vrasje mizore”, është e papranueshme për ta, pasi që vdekjen e Sazdovskit nuk e kanë pasur për qëllim.

I akuzuari i tretë, Jeton Luzha, ishte në arrati dhe së fundmi u ekstradua nga Gjermania. Pas seancës publike për këtë rast, Gjykata e Apelit në afat të arsyeshëm duhet të vendosë rreth ankesave.