Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump po vazhdon të përzgjedh njerëzit në postet kyçe të administratës së tij.
Ai ka zgjedhur John Ratcliffe si drejtor të ri të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
“Mezi pres që John të jetë personi i parë që do të shërbejë në të dyja pozicionet më të larta të Inteligjencës së Kombit. Ai do të jetë një luftëtar i patrembur për të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve, ndërsa garanton nivelet më të larta të sigurisë kombëtare dhe paqes…”, ka shkruar Trump.
Po kush është John Ratcliffe?
Ratcliffe njihet për lidhje të forta me komunitetin shqiptar në SHBA.
Për këtë ka shkruar edhe sipërmarrësja dhe republikania e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari.
“Nje mik tjeter i shqiptareve dhe nje njeri me reputacion te shkelqyer, John Ratcliffe emerohet drejtor i CIAs”, ka shkruar ajo.
Më 2016, Ratcliffe kishte qenë i pranishëm dhe kishte mbajtur fjalë rasti në cilësinë e të ftuarit të veçantë në “Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në New York, i organizuar nga rrjeti shqiptaro-amerikan.
Në disa takime të tjera shihen fotografi të Ratcliffet me emra të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan, politikanë shqiptarë nga rajoni dhe aktivistë.
Takime me të kanë pasur edhe zyrtarë nga Kosova, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës.(B.S/INA)