Reagoi LSDM pas largimit nga Qeveria të Lidhjes Demokratike të Pavle Trajanovit

Iliria News Agency
Iliria News Agency

14/02/2023

Vendimi i Lidhjes demokratike për të kaluar në opozitë nuk ndryshon asgjë, koalicioni qeveritar dhe shumica parlamentare janë të forta dhe të qëndrueshme dhe do të mund të vazhdojnë me sukses të kalojnë në Kuvend ligjet e rëndësishme për reformat në ekonomi dhe për rrugën evropiane të shtetit, reaguan nga LSDM-ja në pushtet, transmeton Portalb.mk.

“Është mirë që Lidhja demokratike dhe deputeti Pavle Trajanov vazhdojnë të mbështesin rrugën evropiane të shtetit. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë. LSDM dhe shumica janë të hapura për bashkëpunim me partitë dhe deputetët e tjerë që janë për vazhdimin e rrugës evropiane. Jemi të sigurt se në VMRO-DPMNE ka deputetë të cilët janë të gatshëm të çlirohen nga pengu në të cilin i vendosën Apasiev dhe Mickoski”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Lidhja demokratike pas seancës së Kryesisë dhe Këshillit Qendror, mbrëmë ka marrë vendim që të mos mbështesë rindërtimin e Qeverisë dhe të largohet nga shumica parlamentare. Këtë e bëri të ditur dje në një konferencë për media lideri i partisë Pavle Trajanov. Vendimi për marrjen e këtij hapi, siç tha Trajanov, është dështim në përmbushjen e qëllimeve programore të përcaktuara dhe të dakorduara me LSDM-në para zgjedhjeve të vitit 2020.

“Këshilli Qendror konstatoi se asnjë nga qëllimet tona programore të përcaktuara nga organet dhe trupat tona partiake që ishin pajtuar me LSDM-në para zgjedhjeve të vitit 2020, por edhe para formimit të kësaj qeverie, nuk janë realizuar. Ne kishim marrëveshje që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, pra të bëjmë reforma sistematike në rregullat zgjedhore. Është përgatitur një ligj që ka kaluar në sistemin politik parlamentar dhe komisionet legjislative-juridike, por tashmë është i bllokuar pasi kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk e cakton seancën për këto ndryshime ligjore. Ky ishte angazhimi ynë kryesor”, tha Trajanov.

Ai shtoi se nuk janë përmbushur edhe dy objektiva të rëndësishme programore, reformat në sistemin gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit.

“Kërkuam reforma në sistemin gjyqësor duke audituar punën e secilit gjyqtar dhe duke përcaktuar gjendjen e tij pasurore. Kishim përgatitur një ligj për shqyrtimin e fakteve dhe provave të përdorura në procedurat gjyqësore. Ky ligj kaloi në komisionet e regjistrimit dhe tani është i bllokuar, pra nuk futet në seancë plenare. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, ne kërkuam një qasje më serioze dhe një vullnet të fortë të të gjitha palëve. Ne propozuam krijimin e një agjencie për të luftuar format e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe për këtë projekt nuk kemi mbështetje. Ka edhe gjëra të tjera, propozuam të krijohet një fond, dy për qind e buxhetit për bizneset e të rinjve dhe që çdo student, sapo të diplomohet, të punësohet në sektorin publik ose privat në kurriz të buxhetit për një vit. Kjo është një masë që aplikohet në Kanada dhe besojmë se do të pengojë të rinjtë të largohen nga Maqedonia. Por as për këtë nuk kemi mbështetje”, tha Trajanov.

Në bazë të analizës së përgjithshme, shtoi ai, morëm vendim – Lidhja demokratike nuk do të mbështesë rindërtimin e Qeverisë dhe nuk do të jetë pjesë e shumicës parlamentare.

“Edhe më tej do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha projektet që nënkuptojnë zbatimin e standardeve evropiane dhe jemi ende pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për ne janë tejet të papranueshme tezat për përçarje partish dhe qytetarësh, për gjoja formimin e aleancës për Evropën dhe gjithë të tjerët që nuk janë në atë aleancë, se janë kundër BE-së. Përcaktimi ynë i vendosur mbetet që Maqedonia të vazhdojë të jetë pjesë e BE-së. Ne do të jemi bashkëpunues në të gjitha projektet për të mirën e qytetarëve dhe do të mbështesim e mbrojmë interesat tona jetike”, tha kreu i LD-së, duke shtuar se nuk ka nevojë për subjekt të veçantë politik nëse gjithmonë pranoni qëndrimet e vëllait të madh.

Trajanov paraprakisht, përmes një letre drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, kërkoi të shihen përcaktimet programore të Aleancës për Shqiptarët (ASh) para se të merret vendimi përfundimtar nëse do të mbështesë rindërtimin e qeverisë.

“Përveç përbërjes kadrovike të Qeverisë, përcaktimet programore janë kyçe për Lidhjen demokratike dhe më gjerë për publikun, prandaj kërkojmë që partitë dhe opinioni të informohen me kërkesat programore të ASh-së. Përndryshe, ne nuk jemi të gatshëm të mbështesim një partner të ri në Qeveri nëse ai kërcënon me destabilizimin, radikalizimin dhe riorganizimin e Maqedonisë, duke i ndarë qytetarët në baza etnike rreth ndryshimeve të paralajmëruara kushtetuese”, i ka shkruar Trajanov Kovaçevskit.

VMRO-DPMNE-ja opozitare e përshëndeti vendimin e LD-së që të mos e mbështesë rindërtimin e Qeverisë dhe të largohet nga shumica qeveritare dhe u bëri thirrje partive tjera nga koalicioni qeveritar që të bëjnë të njëjtën gjë.

Kujtojmë se të njëjtin vendim, largim nga Qeveria, dy ditë më parë mori edhe Alternativa, kjo si rezultat i hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, e cila ngushtoi kolltukun e partisë Alternativa me të cilën në zgjedhjet e fundit parlamentare dy partitë ishin në koalicion, i cili zgjati deri dhjetorin e vitit 2021 kur Alternativa vendosi nga opozita të kalojë në pozitë. Me ndryshimet e fundit në Qeveri, dy ministri të Alternativës pritet t’i kalojnë ASh-së.

Këtë vendim e bëri të ditur, i pari i partisë Afrim Gashi përmes konferencës për shtyp, ku tha se tani e tutje me tre deputetët e saj do vazhdojnë në opozitë, ndërkaq tha se LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen me të cilën ata u bënë pjesë e Qeverisë.

“Ne sot kemi vendosur që Alternativa bashkë me tre deputetët dhe të gjithë strukturat tona, sot e tutje do të jetë parti opozitare. Megjithatë ne mbetemi të përkushtuar në rrugën evropiane”, tha dy ditë më parë Afrim Gashi.

Ndërkaq, nga tani e tutje do merren me partinë që në zgjedhjet e ardhëshme të dalin më të suksesshëm.

Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua të enjten se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ka ngushtuar vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

stevo pendarovski

Pendarovski: Nuk ka plan “B” për ndryshimet kushtetuese, vetëm plan “A”

bujar osmani

Osmani: Marrëveshja e Ohrit ma ka mundësuar që të mbërrij të bëhem kryetar i gjysmës së botës!

Arben Taravari VLEN

Taravari: Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë – BE, SHBA dhe NATO janë aleatët tanë të pazëvendësueshëm

Pançe Toshovski

Toshkovski: Atmosfera parazgjedhore është e qetë dhe pa incidente

mjeke

Anulohet konkursi për punësimin e 1 117 punonjësve shëndetësor

rasti monstra

Rasti “Monstra” do të kërkoj drejtësi në Strasburg

spital-infermiere-mjeke shendetesi

Çdo muaj nga 12 infermiere ikin nga Maqedonia e Veriut

gruaja dhune burri rrahje

Gruaja nga Piroku e rreh rëndë me shuplaka burrin nga Gostivari

SONY DSC

Moti i ngrohtë “pushton” plazhet, fluks pushuesish në bregdetin shqiptar

INFO

NA NDIQ