Reagon Rama pas përleshjes në Rrugën e Kombit

Pas protestave në Rrugën e Kombit, që prodhuan përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë, por edhe shkatërrim dhe djegie të sportelit ku bëhen pagesat e taksës nga koncesionari, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.

Nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare në “Facebook”, Rama ka kërcënuar se të gjithë vandalët do të marrin dënimin e merituar, ndërsa u shpreh se askush nuk do të mund të shkatërrojë pronën publike.

“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!”, tha Rama përmes një shkrimi të publikuar në “Facebook”.

Ndryshe, para disa ditësh është vendosur taksa rrugore në “Rrugën e Kombit” ku qytetarët do të paguajnë 5 euro vetëm për një drejtim.