Në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm janë shfaqur disa posterë me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këto postera ku shihet Vuçiq, shkruhet edhe mesazhi “Komandant Suprem, ju presim”.
Lidhur me këtë ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla duke thënë se nëse Vuçiq është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, “edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg”.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, thuhet në reagimin e Sveçlës.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me Policinë në veri të Kosovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se po punojnë për ndriçimin e rastit./21Media