Ta fillojmë nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!”

Reciprociteti edhe në Maqedoninë e Veriut, ta fillojmë nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!”

shkruan Zeqirija Ibrahimi

Në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin “të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!”, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (BDI, ASH dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Asgjë më shumë. Vetëm aq.
Ata që e kërkojnë këtë nga Kosova janë aleatët tanë perëndimorë, andaj kjo njësi i bie të jetë në frymën e vlerave perëndimore. Shumë mirë atëherë. Ta bëjmë edhe ne në Maqedoninë e Veriut një Asociacion në këtë frymë perëndimore!
Ja një kauzë që mund t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare, madje edhe Alternativën që nuk ka komunë.
Ta fillojmë që sot nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!” Reciprocitet i bukur dhe, njëherazi, europian, apo?!
Mbase kështu arrijmë edhe te tema e reciprocitetit gjuhësor mes shqipes në Maqedoninë e Veriut dhe serbishtes në Kosovë.

*autori sekretar gjeneral i Alternativës