Referendumi serb, sot seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet lidhur me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në Kosovë.Seanca është thirrur pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti drejtuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca.Seanca do të mbahet në orën 14:00.

“Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në seancë do të synohet të nxirret një rezolutë e përbashkët ku shprehet vullneti i deputetëve për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.“

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendi/ Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00. Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në komunikatë.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë dje i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani.

Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme. Përmes një deklarate të përbashkët, kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryekuvendari Konjufca, pas takimit me QUINT-in, kanë njoftuar se nuk janë lëkundur nga qëndrimi për mos lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovës, ku OSBE-ja do të merrej me grumbullimin e votave sikur në votime të së kaluarës.