Reagim i ashpër i deputetëve të Frontit Evropian pasi që Ligji për lojërat e fatit, që është propozimi i tyre, është hequr nga rendi i ditës së seancës së sotme parlamentare. Kjo ka ndodhur pas miratimit të propozimit për interpretim autentik të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërave zbavitëse të propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ilire Dauti nga Fronti Evropian tha se kjo është shkelje klasike e Rregullores së Kuvendit.
Propozimin për interpretim autentik të ligjit të lojërave të fatit e dha Aleksandar Veljanovski nga VMRO-DPMNE. Ai tha se lojërat e fatit i organizon Lotaria shtetërore e Maqedonisë.
“Nga ana e qeverisë është themeluar shoqata tregtare me pronësi dominuese të Lotarisë shtetërore me çka është respektuar përcaktimi në lidhje me themelimin e një shoqërie që organizon lojëra lotarie, por në praktikë, ndodh që të themelohen më shumë shoqata tregtare në vend të një shoqate, me 51% në pronësi të Lotarisë shtetërore me organizatorë të ndryshëm që mund të organizojnë lojëra elektronike të fatit”, tha Aleksandar Veljanovski, VMRO-DPMNE.
Pas miratimit të kërkesës për interpretim autentik, pas propozimi të Bojan Stojanovskit nga VMRO-DPMNE, u miratua kërkesa që të hiqet nga rendi i ditës Ligji për lojërat e fatit që e propozuan deputetët e Frontit europian.