Regjistrimi në Luginë, vetëm tre regjistrues shqiptarë në Medvegjë

Në Medvegjë janë vetëm tre regjistrues me etni shqiptare të cilët po marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. As këta tre shqiptarë nuk po dërgohen në vendbanimet shqiptare, por në dyert e tyre po trokasin regjistrues serbë.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen që është bërë në ndërmjetësim me OSBE-në. Ai njofton se kanë dorëzuar ankesën në Entin Statistikor të Serbisë dhe se po presin që gjatë ditës të zgjidhet kjo çështje. Kamberi shpreh dyshimin se kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen.

Për dallim nga Medvegja, në Preshevë dhe Bujanoc, shumica e regjistruesve janë shqiptarë. Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që u organizua në vitin 2011, për shkak se nuk u respektuan kërkesat e tyre. Në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2002, ku morën pjesë shqiptarët janë evidentuar 56 mijë banorë.

“Tre janë për Medvegjë që kanë kaluar testet që janë kryer. Por problemi tashmë qëndron në faktin se edhe këta tre nuk janë duke i dërguar në vendbanime shqiptare, por dërgohen në vendbanime serbe. Ndërkohë që regjistruesit serbë dërgohen në vendbanime shqiptare, që është në kundërshtim me marrëveshjen që kemi pasur me Ministrinë për Dialog dhe për Drejta të Njeriut me ndërmjetësimin e OSBE-së. Ne kemi bërë alarmimin me OSBE-në dhe me ambasadat perëndimore gjatë ditës së djeshme, po presim që sot të ketë një trajtim dhe respektivisht kthim për respektimin e marrëveshjes. Sepse përndryshe ne do të duhet të shqyrtojmë vendimin dhe qëndrimin tonë për regjistrimin e popullsisë në këtë komunë. Sepse dyshojmë që gjithë kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen”, deklaroi Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin e Serbisë.