Reja: Duhet të gjejmë golin, në 2 ndeshjet e radhës synojmë 6 pikë për kreun e grupit

0

Edoardo Reja foli pa dorashka në intervistën për Supersport pas ndeshjes ndaj Lituanisë, sfidë në të cilën kombëtarja shqiptare regjistroi barazimin e dytë radhazi pa gola. Trajneri i italian i kuqezinjëve e pranoi se Shqipëria gaboi shumë në sulm dhe ky është një problem që duhet zgjidhur në 2 ndeshjet e radhës në cilat Shqipëria do të tentojë 6 pikë për të fituar edhe grupin.

“Është një situatë që realisht më vjen keq. Në këtë ndeshje, krijuam shumë raste, na u mohua edhe një penallti. Patëm dhe një rast në fund me Trashin, edhe Seferi pati një rast. Gjithsesi, këto nuk janë justifikime, ne duhet të shënojmë, nëse nuk shënojmë, është faji ynë. Lenjani? Dha kontributin e vet në pjesën e parë, pastaj zgjodha Trashin se ka karakteristika disi të ndryshme”.

“Provova të ndryshoj për të dhënë një shtysë më shumë për sulmin. Anësorët harxhojnë shumë energji dhe për këtë arsye ndërrimet bëhen aty. Shpresoj të kem mundësi ta ri-bëj skuadrën dhe të rikuperojmë lojtarë. Provuam disa të rinj, që dhanë sinjale të mira, ndaj do të bëjmë vlerësimet tona për të ardhmen. Edhe Kallaku luajti mirë ndeshjen e shkuar. Edhe sot të rinjtë luajtën mirë, krijuam raste në të dy ndeshjet, krijojmë raste për gol, por për fat të keq nuk shënojmë dhe na duhen lojtarë të ftohtë në zonën kundërshtare”.

“Kumbulla ishte zgjedhje e imja, mendoj se ishte veprimi i duhur, pavarësisht se çdokush ka idenë dhe vlerësimin e tij. Edhe Broja bëri një ndeshje të mira, jo ndoshta aq të mirë sa kundër Kazakistanit, por bëri mirë. Detyra ime është të bëj rotacion, sidomos me të rinjtë, që të fitojnë eksperiencë dhe të kontribuojnë për ekipin. Jam munduar që të shfrytëzoj çdo hapësirë rotacioni. Të njëjtën gjë bëra dhe sot, me Manajn dhe Vrionin. Është e vështirë kur je në transfertë, në një ndeshje pas tre ditësh me udhëtime të gjata. Jo gjithmonë është zgjedhja ime, jam i detyruar të bëj ndërrime”.

“Dy ndeshjet që na presin, janë një mundësi që ne të marrim 6 pikë dhe të vijojmë me objektivin tonë, që të jemi në krye të grupit. Këto dy barazime që morëm, nuk më bëjnë të ndihem mirë, por në një farë mënyrë është një shtysë për të marrë më shumë”, u shpreh Reja.