Ndeshjet e të mërkurës në Ligën e Kampioneve kanë plotësuar tabelën e klasifikimit të përbashkët të këtij turneu që ka ndryshuar format. Pas ndeshjeve të kësaj jave, bie në sy se ka mbetur vetëm një skuadër me pikë të plota, Liverpulli që kryeson i vetëm renditjen.
Pas krahëve të anglezëve janë katër skuadra me nga 10 pikë, me Interin që ishte i pritshëm, por të cilit i bashkohen surprizat Sportingu, Monako dhe Brest. Në zonën e tetëshes së parë aktualisht janë edhe skuadrat e Barcelonës, Borusia Dortmundit dhe Aston Vilës.
Ajo që bie në sy është se jashtë 24-shes së parë që kualifikohet në fazën me eliminim direkt, aktualisht është PSZH, që ka regjistruar vetëm 4 pikë. Në pozicion jo të favorshëm për kualifikimin janë edhe Shtutgarti, Xhirona apo Bolonja, ndërsa duhet shtuar se Lajpcigu është mes 5 skuadrave me 0 pikë pas 4 ndeshjesh të luajtura.