Republika e Iliridës, ëndërr apo realitet

Ideja e vjetër me përpjekje të reja për të krijuar “Republikën e Iliridës”, si një autonomi politiko-territoriale e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përsëri u rishfaq në skenën publike. Tema në fjalë u diskutua në debatin “Republika e Iliridës – një zgjidhje themelore për funksionimin e barazisë në RVM”, i cili u zhvillua ditë më parë në Tetovë. Motivi kryesor i pjesëmarrësve është që të riafirmohet dëshira e shqiptarëve të shprehur në Referendumin e vitit 1992. “30 vjet jemi dëshmitarë i sakrificave, që të qeverisim bashkë me popujt tjerë në Maqedoni, por kjo qeverisje e përbashkët nuk i dha rezultatet e pritura. Përfundimisht ka ardhur koha për ndryshime”, ishte porosia e debatit. Nexhat Bexheti, në cilësi të kë kryetarit të kësaj nisme, tha se duhet të ndryshohet pozicioni dhe statusi i shqiptarëve në RMV, pasi jemi popullatë me shtrirje kompakte dhe numër të madh demografik, që me normat ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe dokumentet e Helsinkit, neve na takon të kemi qeverisje autonome dhe ta kemi Republikën e Iliridës, e cila është shprehje e vullnetit të qytetarëve shqiptarë.

“REPUBLIKË E DYTË”

Përveç riafirmimit të idesë së vjetër, nga “Lëvizja Ilirida” paralajmërojnë se po i bëjnë përgatitjet e fundit që kjo lëvizje të regjistrohet si parti politike, që të merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme. “Në mënyrë që të regjistrohemi si parti politike dhe të marrim pjesë në zgjedhjet dhe fushatën zgjedhore, ne do të paraqesim kërkesën për federalizim të shtetit dhe nëse fitojmë votat e qytetarëve, automatikisht do të formojmë Parlamentin e Iliridës, i cili do të funksionojnë si Republikë e dytë në kuadër të Maqedonisë “, deklaroi Bexheti.

Analisti politik Arben Llalla thotë se tregu i partive politike është i hapur, mund të konkurrojnë, por mos ta ushqejnë popullatën me iluzionin se kanë dalë me gjoksin për të bërë gjëra të mëdha. “Njerëzit janë të lirë të themelojnë parti, shoqata, etj., por jo duke konsumuar çështjen kombëtare për përfitime personale, duke dëmtuar proceset demokratike shqiptare në Maqedoni. Tashmë shumica e shqiptarëve e dinë se si fitohen të drejtat dhe rruga e bashkimit tonë. Shqiptarët në Maqedoni përtej probleme që kanë me Institucionet shtetërore të cilat nuk zbatojnë ligjet e votuar në Kuvend, janë në rrugë të mbarë, gurët e mozaikut po vendosen ashtu siç duhen. E ardhmja e Maqedonisë është një vend që shqiptarët do ndihen të barabartë dhe zotër me bashkëthemeluesit e tyre të shtetit”, shprehet Llalla.

Ideja për krijimin e “Republikës së Iliridës”, nuk është e re, ajo në mënyrë ciklike po riafirmohet në periudha turbulente dhe sensitive për shtetin. Më parë, promotorë kryesorë për krijimin e “Iliridës”, ishte lideri i atëhershëm i Partisë për Prosperitet Demokrati, Nevzat Halili. Disa muaj pasi Maqedonia shpallin pavarësinë, ai u bë mburojë i referendumit të Shqiptarëve që u mbajt më 10 dhe 11 janar të vitit 1992, në të cilën ata u deklaruan për autonomi politike dhe territoriale. Referendumi, në të cilën është vërtetuar se 99.9% nga Shqiptarët të cilët kanë dalë janë deklaruar për vetëvendosje, nga shteti ishte shpallur jo legal. Ëndrra e Halilit për “Republikën e Iliridës” ishte ndalur në fund të vitit 1993 në rastin “Paramilitarë”, i cili zbardhi plane secesioniste dhe armatim për mbrojtje të “Iliridës”. Ai ishte dënuar për rastin dhe akuzoi se procesi kundër tij ishte i montuar.

NJËJTË SI PARA SHTATË VITEVE

As gjatë viteve të kaluara, Nevzat Halili, nuk u tërhoq nga ideja për vendosjen e “Republikës së Iliridës” si shtyllë e dytë në shtet. Mbrëmë u paralajmërua si pjesëmarrës në debatin e ri, ndërsa paraqitja e tij e fundit publike në këtë temë ishte në shtator të vitit 2014, periudhë e krizës së madhe politike. Ai atëherë mbajti pres konferencë para bustit të Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër, ku publikoi Deklaratën në të cilën shpallet Republika e Iliridës. “Do të kërkojmë nga kryetari i Parlamentit që urgjentisht të shpallë referendum për ndarje të brendshme territoriale të Republikës së Maqedonisë. Kufijtë e jashtëm nuk do të ndryshohen. Ata do të mbesin të njëjtë. Ndërsa brenda, në konfederatë, do të kërkojmë demilitarizim të tërësishëm. Idenë do ta zbatojmë me mjete paqësore. Do të kërkojmë konfederatë në të cilën do të ketë barabarësi për të gjithë. Secili me instrumentet e tija në etnitetin e tij do të mund t’i realizon të drejtat e nevojshme”, deklaronte atëherë, Halili.

Analistët atëherë vlerësonin se edhe ideja, edhe promotorët e Iliridës iu kishte kaluar koha. Ringjalljen e idesë së vjetër e vlerësuan si sjellje tipike për ish “ikona” politike të radikalizmit, të cilët ndërkohë e kanë humbur kuptimin dhe ndikimin në politikë, dhe dëshirojnë të gjejnë mënyrë si të kthehen në skenën politike. Shtatë vite më vonë, ideja e njëjtë riafirmohet në periudhë kur ende nuk dihet nëse do të debllokohet fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, ose këtë proces do ta fillon vetëm Shqipëria. Arben Llalla thotë se idetë e tilla në këto kohëra nuk pinë ujë, sidomos kur shohim se cilët persona janë promotorë të “Iliridës”.

“Nëse shikoni me kujdes, cilët janë sot këta që duan Iliridën ta kthejnë në parti? Janë të njëjtët njerëz që kanë bredhur sa në një parti në tjetrën, sa në një organizatë në tjetrën për përfitime të vogla personale. Janë njerëz të dëshmuar se janë të dështuar në fushën e politikës, që nuk u besojnë votën dhe fjalëve të tyre. Janë disa profesor pensionistë që përtej lëndës mësimore që janë paguar asgjë si kanë ofruar kombit shqiptar. Pse këta do i zgjidhin hallet dhe çështjet e shqiptarëve në Maqedoni pasi nuk i dëgjon më askush? Ilirida Republikë, qeveria e Iliridës, etj., jemi mësuar ti shohim ndër vite, këta që çirren për Iliridën sa herë që i duhet LSDM dhe VMRO ndonjë shkak për të frenuar proceset e përparimit të shqiptarëve, janë njerëz që i kanë dhënë përkrahje LSDM dhe VMRO, të afërt me pushtetin e tyre që pas viteve 1945 e në vazhdim. (Drejtuesit e LSDM dhe VMRO janë trashëgimtarët e drejtuesve të Maqedonisë Jugosllave)”, ka deklaruar për KOHA, Arben Llalla, analist

Edhe kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për Klan Maqedoni, duke komentuar nismën në fjalë, tha se në Maqedoninë e Veriut nuk kalojnë tashmë filozofitë e Janko Baçevit dhe Iliridës, ndërsa shton se BE-ja duhet të na motivojë dhe më 22 qershor të na shpërblejë me fillimin e negociatave. “Përgjigjen e projekteve për shtete të mëdha dhe kufij të reja në Ballkan duhet ta jep BE me forcimin e proceseve euroatlantike për rajonin. Projektet nacionaliste si ato që po promovohen në disa nga nonpejperët ose si kjo për “Iliridën”, nuk kalojnë dhe nuk do të fitojnë as kryetarë të bashkësisë lokale, e të mos flasim për këshilltarë në komuna ose deputet”, theksoi Zaevi. (koha.mk)