Republikani Asa Hutchinson shpall kandidaturën për president në SHBA

Iliria News Agency
Iliria News Agency

2 Prill, 2023

Ish-guvernatori i shtetit të Arkansasit, republikani Asa Hutchinson, njoftoi të dielën se do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

“Jam i sigurt se njerëzit duan udhëheqës që duan më të mirën e Amerikës”, tha zoti Hutchinson në një intervistë të transmetuar të dielën për programin “This Week” të televizionit ABC. Ai tha se do ta bënte njoftimin zyrtar për shpalljen e kandidaturës në muajin prill në Arkansas.

“Kam marrë një vendim dhe vendimi im është që do të kandidoj për president të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

72-vjeçari Asa Hutchinson la detyrën në janar, pas tetë vjetësh si guvernator. Ai ka shtuar kritikat e tij ndaj ish-presidentit muajt e fundit, duke e cilësuar rikandidimin e zotit Trump si “skenarin më të keq” për republikanët dhe duke u shprehur se kandidimi i tij ka të ngjarë të shtojë shanset për fitoren e Presidentit Joe Biden në vitin 2024.

Përveç zotit Trump, kandidaturën për president nga radhët e republikanëve e ka shpallur edhe ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB Nikki Haley dhe sipërmarrësi Vivek Ramaswamy.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis pritet të hyjë në garë gjatë verës, ndërsa Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut dhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, janë gjithashtu kandidatë të mundshëm.

Zoti Hutchinson, i cili pati një mandat të kufizuar, ka qenë pjese e politikës në shtetin e Arkansasit që nga vitet 1980, kur shteti anonte nga dekomokratët.

Gjatë kohës që sherbeu në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Hutchinson ishte një nga menaxherët në procesin për shkarkimin nga detyra të Presidentit Bill Clinton. Zoti Hutchinson ka shërbyer si nënsekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të Presidentit Xhorxhe Bush.

Si guvernator ai mbrojti shkurtimin e taksave mbi të ardhurat.

Ai nënshkroi disa ligje për kufizimin e abortit, duke përfshirë një ndalim të procedurës që hyri në fuqi vitin e kaluar, kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara rrëzoi atë që njihej si rasti “Roe kundër Wade”.

Vendimi historik i vitit 1973 “Roe kundër Wade” përcaktonte se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndalur shtatëzaninë në gjashtë muajt e parë, kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës.

Zoti Hutchinson, megjithatë, ka thënë se i vjen keq që ligji nuk përfshin përjashtime për rastet e përdhunimit ose inçestit.

Vitin e kaluar zoti Hutchinson u përball me zemërimin e zotit Trump dhe një pjesë të republikanëve kur vuri veton ndaj legjislacionit që ndalonte trajtimin mjekësor për fëmijët që duan të ndryshojnë gjini.

Për shkak të vetos, ish-Presidenti Trump e quajti zotin Hutchinson një “RINO”, “gjoja republikan”.

Megjithëse ish-guvernatori ka mbështetur politikat e zoti Trump, ai është bërë gjithnjë e më kritik ndaj retorikës së ish-presidentit dhe pretendimeve për manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai tha se thirrja e zotit Trump për të anashkaluar disa pjesë të Kushtetutës për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, e dëmtoi vendin.

Zoti Hutchinson zemëroi kundërshtarët e dënimit me vdekje në vitin 2017, kur urdhëroi tetë ekzekutime gjatë një periudhe dy-javore. Shteti përfundimisht kreu katër ekzekutime.

Ish-guvernatori njihet më shumë për artin e të folurit sesa për fjalimet e zjarrta. Në vend që të kundërshtojë kritikët në rrjetin Twitter, ai poston vargje biblike çdo të dielë në mëngjes./VOA

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

rusia

Plas lufta civile në Rusi? Meçollari: Ushtria ruse dhe Wagner nuk e duan njëra-tjetrën, ka nisur rebelimi

Pence Mike Pence

Pence kandidon për zgjedhjet presidenciale 2024 në SHBA

wagner koloneli putinit

Mercenarët e “Wagner” i marrin peng kolonelin e njohur Putinit

ukraina-rusi-kiev-ushtar

Belgjika i kërkon sqarime Ukrainës për armët e përdorura në sulmet në Rusi

spital-780x439-650x358

Rreth 100 nxënës të helmuar në veri të Afganistanit

gjermani-protest

Mijëra polakë dolën në rrugët e Varshavës për të protestuar kundër qeverisë

Stoltenberg-600x360

Stoltenberg, Erdoganit: Suedia i ka përmbushur obligimet për anëtarësim në NATO

ukraine-ushtare-rusi-kiev

Forcat ukrainase “rifitojnë pozicionet” në Bakhmut

ukraina-rusi-kiev-ushtar

A do të nisë kundërofensiva? Ukraina: Planet duan heshtje, nuk do të ketë njoftim

INFO

NA NDIQ