shkruan: Agim Vinca
RETROSPEKTIVË AUTENTIKE E RRJEDHAVE POLITIKE
(Iljaz Halimi, Morfologjia e një kauze kombëtare, I-IV)
Më vjen mirë që jam sot në mesin tuaj dhe që mund t’i them dy fjalë para këtij auditori të nderuar.
Pesë vjet më parë, në vjeshtë të vitit 2018, miku im, Iljaz Halimi, m’u drejtua me kërkesën për të qenë recensent i librit që po promovojmë sot. Natyrisht që pranova dhe pasi e lexova vëllimin e parë, ku përfshihen intervistat dhe disa shkrime të tjera, shkrova paragrafin e mëposhtëm:
“Libri i zotit Iljaz Halimi, intelektual dhe veprimtar i shquar politik në Maqedoni, është një dëshmi interesante, e veçantë dhe autentike për rrjedhat politike në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (tani Republika Maqedonia e Veriut), në periudhën pas legalizimit të pluralizmit politik, që do të thotë nga viti 1990 e deri më sot. Duke qenë njëri nga protagonistët e këtyre proceseve, që janë shoqëruar me vështirësi e pengesa të shumta, Iljaz Halimi si kryetar partie, si deputet dhe si funksionar partiak e shtetëror, ka dhënë kontributin e tij të pamohueshëm në avancimin e statusit politik të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe në zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi.
Nga shkrimet e përmbledhura në këtë libër (artikuj, intervista, fjalime, deklarata etj.) lexuesi mund të mësojë shumë për proceset shoqërore e politike të zhvilluara në hapësirën shqiptare në Maqedoni në një periudhë gati tridhjetëvjeçare, por edhe të bindet për angazhimin e sinqertë e të pakursyer të autorit të tyre në zgjidhjen e problemeve të akumuluara, në krijimin e një vetëdijeje të re politike, me një fjalë në faktorizimin e shqiptarëve në Maqedoni në shtetin në të cilin jetojnë, duke i trajtuar ata gjithnjë si pjesë integrale e kombit shqiptar në Ballkan”. (Prishtinë, 23 dhjetor 2018).
Çka mund t’i shtoj tani, pas katër-pesë vjetësh, këtij mendimi?
Do ta përsërisja gjithsesi atë që kam thënë vite më parë, por do të shtoja edhe shumëçka të re e të pathënë në një tekst të shkurtër, që ishte menduar të vihej në kopertinën e mbrapme të librit, por që botuesi e kishte vënë në brendi të tij. (Po ta dija se do të ndodhte kështu unë sigurisht do të shkruaja më gjatë).
Karriera profesionale dhe politike e Iljaz Halimit është e gjerë dhe e pasur. Student i Universitetit të Prishtinës në vitet ’70, ku kreu studimet në Degën e Filozofi-Sociologjisë; mësimdhënës i kësaj lënde në Gjimnazin e Tetovës, ku një kohë ushtroi edhe detyrën e zëvendësdrejtorit (1987-1989); kryetar i partisë së dytë politike shqiptare në
Maqedoni, Partisë Demokratike Popullore (PDP), të formuar dy muaj pas “Prosperitetit”; nënkryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, pra njeriu i dytë i kësaj partie dhe kryetar i Kuvendit të saj pas vdekjes së Arbën Xhaferit; deputet i Kuvendit të Maqedonisë dhe nënkryetar i tij në një mandat (1998-2002); anëtar dhe kryetar komisionesh të rëndësishme parlamentare të Republikës së Maqedonisë dhe kandidat për president të këtij shteti në zgjedhjet e vitit 2014.
Kjo CV (jo e plotë) tregon se kemi të bëjmë me një njeri që ka qenë jo vetëm pjesëmarrës i ngjarjeve dhe proceseve politike në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku ka përfaqësuar dhe mbrojtur me dinjitet kauzën shqiptare, por edhe protagonist i këtyre ngjarjeve dhe proceseve në një periudhë të gjatë kohore.
Është për t’u përshëndetur ideja e zotit Iljaz Halimi për t’i botuar shkrimet e tij, në të vërtetë paraqitjet e tij publike gjatë kohës sa ka qenë aktiv në jetën politike dhe aq më shumë kujdesi për t’i ruajtur ato, pa të cilin nuk do të ishte i mundur komunikimi i tyre me lexuesit, tani në formë libri.
Për ne më të moshuarit, që e kemi përjetuar periudhën nga viti 1990 e këndej, këto shkrime mund të shërbejnë si rifreskim i kujtesës, kurse për të rinjtë si një dritare për të parë si kanë menduar dhe vepruar prindërit e tyre në një periudhë të caktuar historike.
Libri i Iljaz Halimit ofron të dhëna, shumë të dhëna, për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe për rrethanat politike e shoqërore në përgjithësi. Ndryshe nga disa kolegë të tij, që, në takime me zyrtarët e shtetit apo edhe me ndërkombëtarët, flasin en général apo edhe në mënyrë konfuze, autori i këtij libri preferon gjuhën e qartë e konkrete, duke paraqitur faktet që flasin vetë.
Në një takim me kryetarin e Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorovin, kryetari i PDP-së, në fjalën e tij, ndër të tjera, thekson:
“Z. Kryetar, edhe pse me shumicën e shkaqeve jeni në dijeni, unë do të kisha filluar nga pozita e shqiptarëve në arsim, punësim, në mjetet e informimit e kështu me radhë. Sa i përket numrit të nxënësve shqiptarë që e mbarojnë tetëvjeçaren, vetëm 5% prej tyre përfshihen në shkollat e mesme, kurse nxënësit maqedonas 100%. Në Maqedoni ekzistojnë dy universitete me mësim vetëm në gjuhen maqedonase, në të cilat, nga numri i përgjithshëm i studentëve, studentë shqiptarë studiojnë 1%. Punësimi i shqiptarëve në ekonominë shtetërore është afërsisht 3%. Sa u përket vendeve udhëheqëse në institucione dhe ndërmarrje shtetërore, në vendet ku mbi 80% të banorëve janë shqiptarë, mbi 97% të funksioneve i mbajnë maqedonasit. Në banka, PTT, elektro-ekonomi, në ndërmarrjet publike etj. numri i të punësuarve shqiptarë është simbolik ose nuk ka asnjë. Diskriminimi i shqiptarëve është i theksuar dukshëm në Sekretariatin e Punëve të Brendshme. Nga konkursi i fundit i shpallur nga SPB-ja për 13 punësime u pranua vetëm 1 shqiptar, edhe ky në shtëpinë e zjarrfikësve. Në Shkup, qytet me mbi 200 mijë banorë, asnjë shqiptar nuk
ka të punësuar në organet e brendshme të qytetit. Kështu është rasti edhe me qytete të tjera të Maqedonisë ku jetojnë shqiptarët. Në institucionet e Republikës së Maqedonisë, nuk ka asnjë kryetar shqiptar. Prej 15 ministrave, vetëm 2 janë shqiptarë dhe ata në resorë jo të rëndësishëm, të cilët i zgjodhi sipas dëshirës së tij kryeministri i Qeverisë z. Klusev.
Në emisionet televizive shtetërore, nga 30 orë në ditë, në gjuhën shqipe ka vetëm 25 minuta program. Shqiptarët nuk kanë gazetë të përditshme, por vetëm gazetën “Flaka e vëllazërimit”, e cila del 3 herë në javë. Shqiptarëve u ndalohet madje edhe themelimi i televizioneve private, kurse në anën tjetër funksionojnë 7 kanale televizive me pronarë maqedonas. Toponimet e vendbanimeve, të cilat më parë ishin në dy gjuhë, tani janë vetëm në maqedonisht. Mbishkrimet e shitoreve a po lokaleve të tjera si në Shkup, Strugë, Kumanovë, Kërçovë e kështu me radhë, janë vetëm në gjuhën maqedonase edhe pse pronarët janë shqiptarë” (Morfologjia e një kauze kombëtare I, f. 279).
Kështu fliste Iljaz Halimi në cilësinë e kryetarit të njërës nga dy partitë politike shqiptare në vitin e largët 1992, pra plot 31 vjet më parë. Ishte fillimi i pluralizmit politik dhe njerëzit ende kishin frikë (frika i ka sytë e mëdhenj!), por, pas heshtjes së madhe të viteve ’80, kur vetëm ndonjë zë i vetmuar i ishte kundërvënë terrorit të paparë ndaj shqiptarëve, kishte ardhur koha që e vërteta të thuhej nga më shumë njerëz, tani të organizuar në parti e shoqata legale.
Në këtë kohë do të “kyçet” në politikë, krahas shumë të tjerëve, edhe Iljaz Halimi, i cili, pas kontributit shumëvjeçar në fushën e arsimit, do t’i provonte mundësitë e tij edhe në një fushë tjetër: në atë të politikës. (Fjalën “kyçet” e kam përdorur qëllimisht, natyrisht duke e vënë në thonjëza, sepse ajo në shqipen tonë këndej, ka hyrë si kalk nga serbishtja, në kuptimin përfshihet, inkuadrohet, hyn etj.).
Koha do të tregonte se hyrja e Iljaz Halimit në politikë nuk ishte një veprim ad hoc dhe as i gabueshëm: skena politike shqiptare në Maqedoni kishte nevojë për njerëz si ai: me përgatitje solide profesionale dhe me kredibilitet moral.
Shtrohet pyetja: cili është profili i Iljaz Halimit si politikan?
Kemi të bëjmë me një profil politikani të urtë e racional, jo shumë tipik për mentalitetin shqiptar, i cili i kontrollon emocionet dhe që “hidhërimin e mban në vete”, si shprehet në një intervistë.
Si i tillë ai preferon dialogun si mjet për zgjidhjen e problemeve, i bindur se “demokracia është dialog, kurse dialogu i hap dyert e paqes”. Pa dashur ta kontestojmë këtë mendim brilant të shkrimtarit të njohur meksikan, Oktavio Paz (fitues i Çmimit Nobel për letërsi në vitin 1990), le të na lejohet të themi se përvoja historike ka dëshmuar se jo gjithmonë, sidomos në Ballkan, dialogu është treguar mjet efikas për zgjidhjen e problemeve ndëretnike, posaçërisht kur ato kanë rrënjë të thella historike.
Koncepti për politikën dhe sidomos rivaliteti ndërmjet PDSH-së dhe BDI-së ka bërë që autori i këtij libri të mos ketë mirëkuptim për kryengritjen e vitit 2001, të cilën e quan “konflikt”, sado që vërejtjet e tij për rolin e BDI-së si partnere e koalicionit me LSDM-në e Cërvenkovskit dhe VMRO-në e Gruevskit janë kryesisht të qëndrueshme. (E kam diskutuar këtë problem me autorin në letërkëmbimin që kemi pasur bashkë kur libri ishte në proces dhe nuk e shoh të udhës të zgjatem më shumë në këtë rast).
Kam qenë anëtar i Pleqësisë së PDP-së, bashkë me disa kolegë të tjerë intelektualë, në vitet 1993-96; në mbledhjet e këtij organi këshilldhënës kemi diskutuar për shumë çështje me rëndësi për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe rolin e partive politike në zgjidhjen e problemeve. (Një pjesë e këtij debati pasqyrohet edhe në faqet e këtij libri).
Ishte viti 1996 kur pushoi së funksionuari ky organ: Pleqësia e PDP-së. Një vit më vonë ndodhi një ndryshim cilësor në skenën politike shqiptare në Maqedoni: bashkimi i dy partive: PDP-së dhe PPDSH-së dhe krijimi i një subjekti të ri me emrin Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Në skenën politike shqiptare janë të rralla rastet, për të mos thënë se mungojnë krejtësisht, kur një kryetar partie “sakrifikon” subjektin që e kryeson dhe pozitën e tij për hir të krijimit të një fronti më të gjerë politik; e kundërta, ndarja në fraksione e parti të reja, qoftë edhe minore, është dukuri. Bashkimi i Partisë Demokratike Popullore (PDP) me Partinë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH) në vitin “e mbrapshtë” 1997 (vit i trazirave të mëdha në Shqipëri), është një akt për t’u mbajtur mend. Do thënë se ky bashkim, që u tregua i frytshëm e funksional, nuk do të kishte ndodhur pa pjekurinë politike të Iljaz Halimit dhe gatishmërinë e tij për të kaluar nga pozita e “të parit” në atë të “të dytit”, gjë që ndodh rrallë ndër ne.
Thuhet se në çdo punë që bën njeriu vë nderin e vet. Edhe në një terren të rrëshqitshëm çfarë është politika, Iljaz Halimi i është përmbajtur këtij parimi. Njeri dhe intelektual i përgjegjshëm dhe serioz, ai është treguar i tillë edhe në jetën politike.
Libri Morfologjia e një kauze kombëtare është dëshmi e këtij angazhimi jo vetëm të një individi, por edhe të një klase politike dhe të një shoqërie të tërë. Si i tillë ky është një libër që do t’u hyjë në punë historianëve, politikologëve, studiuesve të arsimit shqip dhe të interesuarve të tjerë për zhvillimet në këtë hapësirë.
Morfologjia e një kauze kombëtare përbëhet nga katër libra (I-IV), të një formati dhe, pak a shumë, edhe të një fryme e përmbajtjeje.
Ndërsa dy vëllimet e para përfshijnë intervistat dhe shkrimet e cilësuara si “ese, qasje, vështrime, analiza”; i dyti, përveç kumtesave, deklaratave e diskutimeve, përmban edhe disa dokumente e shënime në formë ditari për udhëtime e takime të ndryshme në
vend dhe në botë, ndërkaq vëllimi III përfshin fjalimet dhe diskutimet e deputetit Iljaz Halimi në Parlamentin e Maqedonisë, që pasqyrojnë qëndrimin dhe angazhimin e tij konsekuent për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, përfshirë edhe formimin e disa institucioneve kombëtare (zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, themelimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, formimin e teatrove profesioniste në Tetovë, Gostivar etj.). Vlen të përmendet posaçërisht kontributi i zotit Halimi dhe bashkëpartiakëve të tij për futjen e gjuhës shqipe në përdorim në seancat e Kuvendit të Maqedonisë dhe të komisioneve të tij…
Interes të veçantë paraqet vëllimi IV i këtij libri, ku përfshihen shkrimet e autorit si kandidat i PDSH-së për kryetar të Republikës së Maqedonisë (i vetmi kandidat shqiptar) në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014. Po të kishte pasur bashkërenditje të subjekteve politike shqiptare, Iljaz Halimi, i denjë për të drejtuar një shtet edhe më të madh se Maqedonia, do të shkonte në balotazh, duke kushtëzuar kështu palën maqedonase për marrëveshje me faktorin shqiptar.
Në promovime flitet rëndom pozitivisht, por kjo s’do të thotë se nuk mund të bëhet edhe ndonjë vërejtje a sugjerim miqësor.
A ka diçka që i mungon këtij libri?
Për mendimin tim, pos një redakture të thellë gjuhësore, bie në sy mungesa e indeksit të emrave, që është shumë e nevojshme në libra të kësaj natyre, si dhe e një albumi fotografish. (Treguesi i emrave e lehtëson komunikimin e lexuesit me librin, kurse fotografitë, siç dihet, flasin vetë: një fotografi e mirë flet më shumë se qindra fjalë).
Dhe krejt në fund, para se ta mbylli fjalën time, më lejoni ta përgëzoj autorin, mikun tim, Iljaz Halimi, për punën e madhe që ka bërë në këtë libër, i cili mund të quhet lirisht libër i jetës, e librat e këtillë nuk bëhen pa ndihmën dhe mirëkuptimin e anëtarëve të familjes, por edhe të miqve e kolegëve dashamirës. Përgëzimet tona i shkojnë, prandaj, edhe bashkëshortes së Iljazit, zonjës Zejna1 (studiueses së përkushtuar të trashëgimisë etnokulturore të Rekës së Epërme) dhe djalit, Fatit, për ndihmën dhënë babait.
Familja Halimi sot ka dy gëzime: promovimin e librit të babait dhe fejesën e djalit, Fatit, me zonjushën… Gëtja i madh thoshte: “Gëzimin ndaje me miqtë se shumëzohet, por edhe pikëllimin duhet ndarë me miqtë se pjesëtohet”.
(Fjalë e mbajtur në promovimin e librit Morfologjia e një kauze kombëtare të Iljaz Halimit, në Tetovë, 30 tetor 2023)