Revolta e pafund e jelekëve të verdhë në Francë

0

Që nga nëntori, dhjetëra mijëra francezë të zemëruar kanë dalë në rrugë, fillimisht kundër rritjes së taksës së karburantit dhe tani për një numër kërkesash që përfshijnë paga më të mira, më pak taksa, barazi më të madhe dhe pjesëmarrje të qytetarëve në qeverisje. Më shumë se 50 mijë francezë dolën në protesta në rrugë të shtunën (9 shkurt). Si dhe kur do të përfundojnë protestat ende nuk dihet. Një tjetër e shtunë, një tjetër protestë e “jelekëve të verdhë”. Javë pas jave, protestuesit e lëvizjes që e ka marrë emrin nga jelekët e sigurisë që francezët duhet të mbajnë në makinat e tyre – sfiduan të ftohtit dhe u përleshën me policinë në mbarë vendin.

Protestat nuk bëhen vetëm në fundjavë. Të martën e kaluar, protestuesit iu bashkuan sindikalistëve në marshime në Paris dhe në qytetet të tjera të Francës. “Kërkesat e mia janë të njëjta me ato të lëvizjes ‘jelekët të verdhë’ – taksa më të ulta, rivendosja e taksës së pasurisë, drejtësi e pavarur që merret me çështjet sociale dhe mjedisore, në mënyrë që njerëzit të mund të jetojnë me dinjitet”, thotë Sabrina Drljevic-Pierre.

“Mendoj se njerëzit duan vërtet të dëgjohen nga qeveria. Ata duan më shumë drejtësi”, thotë protestuesi Jerome Partage me lëvizjen ‘jelekët e verdhë’. Protestues të tjerë e përshkruajnë lëvizjen e tyre si asgjë më pak se një revolucion – që ka në thelb ankesat e vjetra dhe reformat më të reja të imponuara nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron.

“Ne duam dorëheqje … qeveria të shkarkohet, sepse ajo nuk mund të funksionojë kështu”, thotë protestuesi Pierre-Antoine Charpentier. Lëvizja po rezonon në mbarë Europën duke u përhapur mes të tjerash në Belgjikë, Bullgari, Britani dhe Greqi. Ajo po tërheq vëmendjen e qeverisë populiste të Italisë, duke rritur tensionet mes Parisit dhe Romës. Presidenti Macron thotë se po i dëgjon kritikat dhe pranon se është pjesërisht me faj për atë që ai e quan një përgjigje të pamjaftueshme qeveritare ndaj zemërimit të protestuesve.

Një përgjigje afatshkurtër do të ishte një debat kombëtar tre-mujor për të diskutuar shqetësimet mbi çështje si taksat, shërbimet publike, ndryshimet klimatike dhe demokracinë. Popullariteti i zotit Macron është ngritur disi nga nivelet e ulta rekord.

Por nuk është e qartë se ku do të çojë gjithë ky debat. Ndoshta në një referendum, por kjo do të ishte një lëvizje e rrezikshme.

Është gjithashtu e vështirë për të bashkuar kërkesat e shumta dhe të ndryshme të jelekëve të verdhë për reformat që duan nga zoti Macron. Lëvizja është pa drejtues dhe jo gjithmonë e bashkuar. Disa kandidatë të jelekëve të verdhë po garojnë për zgjedhjet në Parlamentin Europian në maj – në disa lista të ndryshme. Të tjerë nuk mendojnë se ata duhet të konkurrojnë.

“Për mua, nuk ka kuptim që anëtarët e lëvizjes të garojnë në zgjedhje”, thotë Jean-Francois Wolff me lëvizjen e jelekëve të verdhë.

“Mendoj se do të jetë shumë e vështirë për anëtarët e lëvizjes ta përkthejnë suksesin e tyre në shoqërinë franceze në sukses elektoral”, thotë Manuel Lafont Rapnouil me Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Pra cili është hapi tjetër për jelekët e verdhë? Është vështirë të thuhet. Por ata do të jenë me siguri në rrugë të shtunën e ardhshme.