Rexhepi: Kryesia e “Alternativës” sot del me vendim të unifikuar për të hyrë ose jo në Qeveri

Deputeti i “Alternativës”, Skender Rexhepi-Zejd, pret që sot Kryesia Qendrore e partisë të del me qëndrim të unifikuar rreth pjesëmarrjes ose jo në Qeveri. Gjatë një prononcimi për gazetën LAJM, ai bëri të ditur se mbledhja që ishte paraparë për ditën e martë (23 nëntor), u shty për shkak të tragjedisë në Bullgari ku jetën e humbën 44 persona nga Maqedonia e Veriut.

“Në kuadër të kryesisë do të diskutojmë me argument për të vazhduar në opozitë ose për të qenë pjesë e shumicës parlamentare. Gjithsesi kjo nuk do të jetë vendimmarrje definitive, pasi vendimin definitiv e merr Kuvendi Qendror, por vendimet e Kryesisë do t’i japin kahje Kuvendit partiak. Ka argument mjaftë për të qendruar në opozitë, ka argumente mjaftë për të qenë pjesë e shumicës, për të qenë pjesë e shërbimeve të integrimit evropian për interesat shtetëror, qytetarë, por gjithsesi edhe interesat e atyre që ne i përfaqësojmë këtu në vendin tonë”, tha deputeti Skender Rexhepi-Zejd.

LAJM: A i keni tejkaluar dallimet brenda partisë?

Skender Rexhepi-Zejd: Po. Besoj që dallimet janë politike dhe në interes të përgjithshëm që e kemi si subjekt politik dhe në fund “Alternativa” sot do të del me qendrim i cili do të jetë unik dhe do të jetë qendrim që do të jetë edhe në interes të shqiptarëve edhe të “Alternativës”.