Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bajram Rexhepi ka reaguar pas miratimit të rebalancit të buxhetit nga Qeveria, duke e cilësuar atë si një akt të padrejtë dhe ndëshkues ndaj shqiptarëve, veçanërisht në sektorin e kulturës në Tetovë.
Në një deklaratë publike, Rexhepi tha se “askush nuk mund të justifikojë një Qeveri që dyfishon buxhetin për disa, ndërsa e redukton për të tjerët”. Sipas tij, ky është një veprim i qëllimshëm përjashtues që godet rëndë institucionet kulturore shqiptare.
Ai theksoi se kultura shqiptare në Tetovë nuk kërkon lëmoshë, por trajtim të barabartë dhe dinjitoz nga institucionet shtetërore.
Askush nuk mund të justifikojë një Qeveri që dyfishon buxhetin për disa, ndërsa e redukton për të tjerët.
Kjo logjikë dhe ky veprim i përjashtimit dhe ndëshkimit sistematik të shqiptarëve në kulturë dhe jo vetëm, duhet të ndalojë! Kultura shqiptare në Tetovë nuk kërkon lëmoshë, por trajtim të barabartë”, nënvizoi Bajram Rexhepi.
Reagimi vjen pas miratimit të rebalancit të buxhetit për vitin 2025, ku është bërë e ditur se fondet për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës jo vetëm që nuk do të shtohen, por do të reduktohen. Nga 15 milionë denarë të planifikuar fillimisht për vitin 2025, fondi është ulur në 12 milionë denarë, duke shkaktuar edhe njëherë shtyrjen e afatit për përfundimin e objektit.
Projekti i ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës ka pësuar vonesa të njëpasnjëshme ndër vite. Fillimisht, objekti pritej të dorëzohej në vitin 2027, por me uljen e buxhetit dhe ritmin aktual të punimeve, afati duket gjithnjë e më i pasigurt.(INA)