Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bajram Rexhepi, ka reaguar me tone të ashpra pas deklaratës së kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, drejtuar Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rexhepi e ka cilësuar deklaratën e Kasamit si një sulm të qëllimshëm, të ulët dhe të turpshëm ndaj shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit të tij diplomatik. Sipas tij, kjo nuk ishte një gafë e rastësishme, por një shfaqje e qartë e panikut politik që, siç thekson ai, ka kapluar drejtuesit e koalicionit VLEN dhe Qeverinë aktuale.
“Nëse një politikan shqiptar ka rënë aq poshtë sa të ironizojë dhe të sulmojë publikisht përfaqësuesin e shtetit shqiptar, atëherë ai ka humbur jo vetëm busullën kombëtare, por edhe dinjitetin politik e njerëzor”, shkruan Rexhepi.
Ai iu referua gjithashtu raportit të eurodeputetit austriak Tomas Vajc, ku përmendet se përfaqësues të Qeverisë aktuale janë të lidhur me “botën serbe”, gjë që sipas tij përbën një kërcënim serioz për të ardhmen evropiane të vendit.
Në reagimin e tij, Rexhepi thekson se shteti shqiptar ka të drejtën kushtetuese për të mbështetur shqiptarët jashtë kufijve, duke cituar nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili e parashikon mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në diasporë.
“Legalizohet objekti, jo toka. Aq më tepër kur bëhet fjalë për shkolla dhe institucione publike. Kontributi i shtetit shqiptar duhet përshëndetur, jo përçmuar”, shton ai, duke akuzuar Kasamin se funksionon sipas “logjikës së nënshtrimit”.
Rexhepi përmbyll deklaratën e tij me një paralajmërim të qartë:
“Koha e hipokrizisë po mbaron. Po vjen koha e llogaridhënies, dinjitetit dhe përfaqësimit të drejtë për shqiptarët.”(INA)