Rey Manaj, sensacioni parasezonal te Barcelona. Çfarë do të ndodhë me shqiptarin?!

Rey Manaj është bërë sensacioni i parasezonit te Barcelona. Një “hat-trick” kundër Nàstic dhe një gol tjetër kundër Girona, para se të tërhiqej për shkak të dhimbjes së kokës, e kanë bërë të njohur sulmuesin shqiptar, i cili tashmë kishte një fushatë shumë të mirë me ekipin e dytë të Barçës, sezonin e kaluar.

Martin Braithwaite është kthyer pas pjesëmarrjes së tij në “Euro 2020” dhe mund të rrezikojë vazhdimësinë e lushnjarit kuqezi në ekipin e parë. Sidoqoftë, shqiptari ka udhëtuar me skuadrën e Koeman drejt Gjermanisë për fazën e dytë të përgatitjeve verore, atë më intensiven.

Çmimi në rritje

E vërteta është se të dy futbollistët janë në merkato, por ndërsa Braithwaite vazhdon të krijojë shumë dyshime, sa herë që Rey Manaj del në fushë, ai e rrit çmimin e tij. Për pasojë, klubi mund të kërkojë më shumë nga pretenduesit e tij.

Sassuolo nga Serie A ngulmon më shumë për sulmuesin, por Cádiz përpiqet të mos mbetet pas. Sidoqoftë, ka nga ata që e preferojnë atë në ekipin e parë të Barcelonës, përpara Braithwaite, me danezin që nuk ka aftësi shënuese si sulmuesi shqiptar, i cili mbërriti për 700.000 euro nga Albacete, ndërsa çmimi i tij tashmë mund të ketë kapur shifrat e 4.5 milionë eurove.

Barcelona news: Rey Manaj bags hat-trick in 4-0 friendly win

14 gola në 22 ndeshje

Sezonin e kaluar, Rey Manaj shënoi 14 gola në 22 ndeshje, duke pasur një mesatare finalizimi shumë të mirë prej 0.63 golash për ndeshje. Ai ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë, përveç ndeshjes vendimtare kundër UCAM Murcia.

Nga ana e tij, Braithwaite, i cili gjithashtu arriti te Barça në merkaton e dimrit 2020, shënoi 7 gola në 42 ndeshje. Domethënë, kishte mesatarisht vetëm 0.16 gola për ndeshje, shumë më poshtë në krahasim me shqiptarin.

Nëse Barça dëshiron ta rrisë Manajn në treg, gjëja më normale është që Koeman, i cili është gjithashtu shumë i kënaqur me shqiptarin, ta nxjerrë në “skenë”, pasi ndikimi i një ndeshje me ekipin e parë të Barçës nuk është i njëjtë si me filialin e saj.