Rezidencat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë kthehen në hotele me qira mujore – pagesat nga 8.700 deri në 15.300 euro
Dy javë pas shpalljes së fituesve për transformimin e rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë në struktura akomoduese me markë ndërkombëtare, ka përfunduar edhe afati për paraqitjen e ankesave nga palët e interesuara.
Korporata Shqiptare e Investimeve kishte përcaktuar datën 18 qershor si afatin përfundimtar për ankesat, për të vijuar më tej me procedurat e projektit. Në faqen zyrtare të Korporatës tashmë janë publikuar të dhënat zyrtare mbi ofertat e kontratave me karakter enfiteozë.
Ky model parashikon pagesë mujore pas certifikimit të investimit nga partneri privat për përmirësimin e pronës. “Afati i kontratës enfiteozë është 10 vjet, me të drejtë rinovimi deri në kthimin e plotë të investimit. Pas kësaj, palët mund të nënshkruajnë një marrëveshje partneriteti për menaxhimin e strukturës akomoduese”, thuhet në njoftimin e Korporatës.
Velipojë – Qira 1.5 milionë lekë (rreth 15.300 euro) në muaj
Për projektin “Rikonceptimi i rezidencave qeveritare në struktura akomoduese elitare – Vila Velipojë”, fitues u shpall bashkimi i kompanive: Xhenis sh.LLC, Saunders Architecture, Smart Studio, VOGT, Adnan Kastrati dhe Melia Hotels International. Sipas kontratës, qiraja mujore e pagueshme do të jetë 1.5 milionë lekë, ose rreth 15.300 euro.
Në fazën e garës, qiraja minimale e kërkuar ishte 288 mijë lekë (rreth 2.950 euro). Kontrata përfshin gjithashtu dhënie të tarifave preferenciale për klientët e përcaktuar në marrëveshje me Korporatën publike.
Studio arkitekturore ka sqaruar se koncepti ruan strukturën ekzistuese të vilës për të pasqyruar të kaluarën. “Ndërtesa nuk duhet të duket si kala, por të jetë mikpritëse. Do të ketë parkim nëntokësor, 30 dhoma, një SPA cilësor dhe hapësira publike në katin përdhes që do mund të shfrytëzohen edhe nga hotele të tjera të zonës,” deklaruan përfaqësuesit e studios.
Vlorë – Qira 850 mijë lekë (rreth 8.700 euro) në muaj
Për rezidencën në Vlorë, ku fillimisht ishte kërkuar një qira minimale prej 813 mijë lekë (rreth 8.330 euro), oferta fituese ishte 850 mijë lekë në muaj, ose rreth 8.700 euro.
Fitues i projektit është bashkimi i kompanive Edil-Al, Zdrava, Studio Arga, Studio Precht, Studio V10, Jeshile, Ledia Kostandini, Lindita Pelivani, Altisfer Golloshi, Holtzbau Majer dhe Melia Hotels & Resorts.
Projekti synon ndërtimin e një godine moderne me pamje nga perëndimi dhe siluetë unike që pasqyron identitet arkitektonik të veçantë. Ai do të përfshijë një pishinë që lidh ndërtesat, shtëpi në pemë të integruara në natyrë, si dhe mundësi për ndërtesa rezidenciale në fazat e mëvonshme për të garantuar kthimin e investimit.