Rikthehet koloneli Dritan Demiraj

0

Dritan Demiraj ka njoftuar sot në një status në “Facebook” rikthimin e tij si kolonel aktiv në Forcat e Armatosura. Ai thotë se e drejta vonoi por u vu në vend dhe ka një falënderim për Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Demiraj thekson se do të vijojë të kontribuojë në dobi të mbrojtjes dhe prosperitetit të mbarë kombit.

Kujtojmë se Demiraj u largua në kohën që Partia Socialiste erdhi në pushtet, në vitin 2014 nga Ministrja e Mbrojtjes e atëhershme Mimi Kodheli, e cila e argumentoi vendimin e saj për lirimin e kolonelit, me largimet e tij jashtë shtetit pa leje.

Ai u lirua pas 31 vitesh kontribut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pas një mase disiplinore në ngarkim të tij për cenim të Sigurisë Kombëtare.

Pas proceseve të shumta gjyqësore, verën e kaluar gjykata i dha të drejtë duke e rikthyer në detyrë.

STATUSI I DEMIRAJT:

“Të nderuar miq!

Sot me rastin e rikthimit si kolonel aktiv në FA, kam dëshirë të ndaj me Ju disa mesazhe.

Ju falënderoj përzemërsisht, emër për emër, për vëmendjen, solidaritetin dhe mbështetjen që më keni dedikuar në betejat institucionale, morale dhe gjyqësore për t’u rikthyer në shërbimin aktiv të FA të RSH.

E drejta vonoi pak, por më në fund u vu në vend. Këtu nuk ka vend as për triumfalizëm por dhe zero arrogancë nga ana ime.

Do të ishte e padrejtë të mos shprehja mirënjohjen time për MM zonjën Olta Xhaçka, për qasjen dhe adresimin shtetar të rastit tim.

Me këtë rast ju siguroj se “si ushtar i atdheut” do të vijoj të kontribuoj me profesionalizëm, përkushtim, përulësi dhe përgjegjshmëri në dobi të mbrojtjes dhe prosperitetit të mbarë kombit.

Atdheu, Detyra dhe Nderi do të mbeten pasaporta e vetme deri në fund të jetës sime.

Kolonel DD, PhD (Nderi i Kombit)”.