Carlo Ancelotti do të vazhdojë të jetë trajner i Real Madridit edhe pas këtij sezoni, kur kontrata e tij aktuale do të kishte skaduar. Njoftimi është bërë nga vetë klubi spanjoll, pak ditë para fundit të vitit 2023. Ancelotti do të qëndrojë në pankinën e “Los Blancos” të paktën deri më 30 qershor 2026.
Prandaj, eliminohet mundësia që emiliani të marrë drejtimin e Brazilit si trajner. Korrikun e kaluar, federata e futbollit e 5 herë kampionëve të botës kishte njoftuar nga ana tjetër se trajneri italian do të drejtonte “Seleçaon” pas Kupës së Amerikës 2024, por lajmi nuk ishte komentuar asnjëherë nga vetë Ancelotti.
Me Real Madridin, ish-trajneri i Milanit, Bayern Munich, Chelsea dhe PSG fitoi dy Liga të Kampionëve, një La Liga, dy Kupa të Botës për Klube, dy Superkupa Evropiane, dy Kupa Mbreti dhe një Superkupë Spanjolle në pesë sezone. Sipas raportimeve në shtypin spanjoll, Florentino Perez e ka përshpejtuar procesin e rinovimit, të shpresuar nga e gjithë skuadra, duke arritur një marrëveshje të shpejtë, për ta bërë të pavlefshme ofertën braziliane.
Ancelotti është i vetmi trajner që e ka ngritur 4 herë Ligën e Kampionëve në qiell (dy të tjerat me Milanin). Ai është trajneri që mburret me numrin më të madh të fitoreve në kompeticionet më të larta evropiane (118) dhe që ka arritur të bëhet kampion në pesë kampionatet kryesore evropiane (në Itali me Milanin, Anglia me Chelsea, Francë me PSG, Gjermani me Bayern Munich dhe Spanjë me Real Madridin).
“Sot është një ditë e lumtur. Real Madridi dhe unë vazhdojmë rrugëtimin tonë së bashku në kërkim të sukseseve të reja dhe të mëdha. Faleminderit të gjithëve dhe Hala Madrid!” Kështu ka komentuar Carlo Ancelotti në profilin e tij X për rinovimin me Real Madridin.