Rishikimi i Buxhetit në Kuvend, 70 milionë euro për shpëtimin e vendeve të punës

0

Rishikimi i Buxhetit, me të cilën praktikisht duhet të fillojë zbatimi i paketës së katërt të masave, ka kaluar debatin e amendamenteve dhe tani pritet të miratohet në seancë parlamentare.

Në faqen e internetit të Kuvendit, një seancë parlamentare mbi ribalancin nuk është caktuar ende, e cila është e dyta për këtë vitë për shkak të ballafaqimit me pasojat e krizës me coronavirusin.

Në të, të ardhurat janë më të ulëta për 0.2 përqind krahasuar me buxhetin e parë suplementar, shpenzimet janë më të larta për 4.2 përqind dhe deficiti është rritur për 22.6 përqind në krahasim me buxhetin e parë suplementar. Të hyrat totale janë planifikuar në nivelin 196.4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivelin prej 253 miliardë denarë. Deficiti është 8.5 përqind e PBB-së.

Zyrtarët nga Ministria e Financave sigurojnë që Buxheti është në gjendje të mirë dhe të gjitha detyrimet do të paguhen në kohë.

Fondet për realizimin e masave nga pakoja e katërt sigurohen nga zhvendosja e fondeve të papërdorura nga të gjitha institucionet. Pritjet janë që zbatimi i këtyre masave të kontribuojë në përmirësimin e rezultatit të përgjithshëm ekonomik, domethënë ndikimi socio-ekonomik i pandemisë do të amortizohet, ndërsa vitin e ardhshëm ekonomia pritet të rimëkëmbet me rritjen ekonomike dhe konsolidimin gradual fiskal.

70 milionë euro për shpëtimin e vendeve të punës

Qeveria ka miratuar Propozim-ligjin për mbështetje financiare të punëdhënësve të prekur nga kriza e Covid-19 për pagesë të rrogave për tetor, nëntor dhe dhjetor të këtij viti.

Me këtë vazhdon mbështetja për shpëtim të vendeve të punës, kurse për realizimin e kësaj mase janë paraparë 70 milionë euro.

“Me këtë propozim-ligj masa për mbështetje të pagesës së rrogave është ende më e targetuar, kurse mbështetja do të jetë e tillë: kompanitë që janë më të prekura nga kriza do të marrin mbështetje më të madhe financiare, kompanitë që kanë të ardhura të reduktuara prej 30 deri në 40% do të marrin ndihmë financiare deri në 14.500 denarë për çdo të punësuar, kurse për kompanitë me të ardhura të reduktuara prej mbi 80%, shuma e mbështetjes financiare për pagesë të rrogave do të jetë 21.776 denarë për çdo punëtor.