Nga përbërja e re e Kosmisionit Evropian duhet të prisni shumë punë. Pres që si BE, këtë herë edhe ne, të japim rezultate me një dinamikë shumë të përshpejtuar, tha sot shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Mihalis Rokas, në një konferencë për media në Manastir, transmeton Portalb.mk.
“Nga përbërja e re e Komisionit Evropian duhet të prisni shumë punë. Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është prioritet kryesor për vetë Unionin. Si dëshmi apo provë e këtij prioriteti kryesor është se kemi komesar për zgjerim dhe kemi edhe një drejtor politik që mban detyrën e zgjerimit. Pra, i kemi në dispozicion të gjitha mjetet dhe duhet t’i vëmë në veprim që në ditën e parë të punës së përbërjes së re të Komisionit Evropian. Ne si Delegacion i BE-së, së bashku me ekipin tim dhe të gjithë anëtarët e tjerë të BE-së të pranishëm këtu, mbetemi të përkushtuar për përparim në mënyrë që të mund të përdorim të gjitha mundësitë që ofron BE-ja. Kemi në dispozicion mekanizma të ndryshëm financiarë, si Plani i Rritjes i Komisionit Evropian dhe gjithashtu Agjenda e reformave të vetë Qeverisë. Pres që këtë herë, si BE, edhe ne të mund të japim rezultate me një dinamikë shumë të përshpejtuar”, tha Rokas.
Menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media dje përsëriti qëndrimin e saj për Maqedoninë e Veriut, se vendi pret ndryshime në Kushtetutë që të përfshijë Bullgarët – asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Kjo, tha Kos, është diçka në të cilën KE po mbështetet.
E pyetur nëse pas miratimit të amendamenteve kushtetuese mund të jepen garanci se vendi nuk do të ketë më pengesa në rrugën drejt BE-së, Kos tha se nuk është ajo që mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Për mënyrën se si mund të zgjidhet mosmarrëveshja me Bullgarinë, eurokomisionerja thotë se është e nevojshme të bisedohet sa më shumë edhe me Shkupin edhe me Sofjen.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje në lidhje me ndryshimet kushtetuese tha se me to janë përcaktuar vijat e kuqe nga të cilat “as ne dhe as askush nuk do të lëvizim asnjë milimetër”.
“Nuk do të jemi viktimë e bilateralizimit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Ne kemi thënë se çfarë mund të bëjmë dhe ky është maksimumi që mund të bëjmë. Kjo u është thënë të gjithë faktorëve botërorë, të gjithë njerëzve që vendosin në përgjithësi apo kanë ndonjë rol në politikën botërore”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për koment për deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, se rolin kyç për pranimin e qëndrimit të ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar e ka Franca dhe se nëse arrijmë të punojmë me të dhe disa vende të tjera nga Evropa Perëndimore, argumentet tona mund të pranohen lehtësisht.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.