Francesco Totti, figura legjendare e futbollit italian, ka ofruar një analizë të thellë mbi situatën aktuale të Romës në emisionin “Viva el Futbol”. Ai theksoi se për të arritur sukses në nivele më të larta, ekipi duhet të ketë trajnerë dhe lojtarë të shkëlqyer. “Për të fituar titullin te Roma, duhen trajnerë të mëdhenj, por mbi të gjitha lojtarë të mëdhenj. Duhet diçka më shumë se ajo që shoh sot. Aktualisht, Roma e meriton vendin e pestë apo të gjashtë, jo më shumë. Ka skuadra më të forta në këtë moment,” tha ai, duke nënvizuar nevojën për përmirësim në skuadër.
Totti ka shprehur dëshpërimin për mungesën e një trajneri si Carlo Ancelotti, i cili, sipas tij, do të ishte zgjidhja ideale për Romën. “Romës i duhet Ancelotti, por ai nuk vjen. Dhe nëse do të vinte, e para gjë që do të thoshte do ishte: Cila është skuadra? Sepse me këtë skuadër nuk vij, duhet ndryshuar ‘shtylla kurrizore’. Nëse do të isha unë drejtor teknik, do përpiqesha ta bindja atë. Dhe nëse i bie telefonit unë, është ndryshe nga të tjerët,” ka thënë Totti, duke aluduar në rëndësinë e marrëdhënieve personale në futboll.
Ndërsa për trajnerin aktual të Atalantës, Gian Piero Gasperini, Totti shprehu dyshime. Ai e përshkroi Gasperinin si një trajner të talentuar, por theksoi se stili i tij nuk i përshtatet. “Është një trajner i mirë, por nuk më bind. Nuk do të mund të luaja kurrë me stilin e tij, që mbulon gjithë fushën,” tha ai, duke bërë të qartë që stili i lojës është po aq i rëndësishëm sa rezultatet.
Një tjetër emër që përmendi Totti ishte Roberto De Zerbi. “Më pëlqen shumë De Zerbi, por te Roma do të ishte në pikëpyetje. Atje janë mësuar me trajnerë mesatarë…”, tha ai, duke shpjeguar se Roma ka nevojë për një ndihmësa më të guximshëm për të ndryshuar fatin e saj.