Romët dhe egjiptjanët dynden drejt BE-së, në Shqipëri nuk rrihet më

0

Vendi ynë shpopullohet. Pasi kanë emigruar intelektualët, mjekët, inxhinierët, tëknikët, tani po ikin…

Edhe romët nuk rrinë dot më në Shqipëri

Shqipëria po pëson një tragjeti të madhe kombëtare me shpopullsimin masiv. Gjatë 8 muajve të fundit të 2019-s kanë emigruar nga Shqipëria mbi 27.000 shqiptarë, ndërkohë që në 5 vitet e fundit kanë emigruar mbi 450.000 vetë. Tashmë, pasi kanë ikur intelektualët, mjekë, inxhinjierë, student, teknikë, infermierë, po largohen nga Shqipëria edhe …romët.

Romët dynden në tragetin e Vlorës

Rreth dyqind familje rome nga Fieri, Lushnja, Korça dhe zona të tjera të vendit, të cilët janë në gjendje të vështirë jetese dhe me baraka të përmbytura, janë dyndur dje në Vlorë për t’u drejtuar fillimisht në Itali dhe më pas për të emigruar në vende të ndryshme të Europës. Gjendja e tyre vijon të jetë pa asnjë kusht minimal jetese dhe pothuaj të gjitha strategjitë e hartuara nga qeveria apo nga strukturat lokale, kanë dështuar. Po aq të pafrytshme kanë qenë edhe nismat e disa organizatave joqeveritare, të cilat merren me problemet e tyre.

Arratisë së romëve u bashkohen edhe egjiptianët

Që prej disa muajve shumë familje rome dhe egjiptiane të qytetit të Korçës, të Pogradecit dhe të Bilishtit morën rrugët e kurbetit për të mbërritur në Gjermani si emigrantë, pasi jeta në qytetet e tyre ishte bërë e pamundur për shkak të varfërisë, mungesës së punësimit dhe shpresës për një ditë më të mirë. Të tjerë romë dhe egjiptianë janë duke ikur. Emigrimi i familjeve shqiptare nuk përfundon këtu. Tashmë këtë përvojë të familjeve rome dhe egjiptiane kanë nisur ta ndjekin edhe mjaft familje korçare, të cilat, ose kanë mbërritur në Gjermani, ose janë duke udhëtuar drejt saj, ndërsa familje të tjera janë duke u përgatitur për ikjen e madhe. Po ndodh kështu, pasi prej disa muajve në qytetin e Korçës ka filluar të thuhet se romët dhe egjiptianët shqiptarë janë të mirëpritur nga shtetet perëndimore. Të gjithë ata që kanë mbërritur në Gjermani do të mbahen së paku për dy vjet, ndërsa më pas do të shihet mundësia për një qëndrim më të gjatë. Madje, thuhet gjithashtu se shtetet e Bashkimit Europian i mirëpresin romët dhe egjiptianët, pasi ata e dinë mirë që këto komunitete janë të diskriminura, të varfëra, të mbetura pa punë, pa strehim, pa shkollim dhe pa mundësi minimale jetese.

Korçarët mësojnë romisht

Sipas Arben Kosturit, kryetarit të shoqatës rome “Disutni Albania” në Korçë, emigrimi drejt shteteve europiane rrezikon të marrë përmasa edhe më të mëdha. Tashmë nuk janë vetëm romët dhe egjiptianët që kërkojnë të ikin, por edhe familjet korçare. Këto të fundit po bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u pajisur me vërtëtime sikur i përkasin komunitetit rom, ose egjiptian. Madje, jo vetëm kaq, korçarët tashmë kanë nisur të mësojnë edhe romisht. Minimalisht ata duhet të jenë të aftë t’u përgjigjen në gjuhën rome pyetjeve të tilla, si: “nga je?” “cilat janë arsyet e emigrimit?”, “a jeni të pajisur me vërtetim si rom apo egjiptian”, ose të dinë romisht shprehje të tilla, si: “jam i papunë”, “jam i pastrehë”, “asistenca sociale nuk mjafton as për një person” etj si këto, pasi shteti ku do të emigrojnë i merr në pyetje. Të paktën kështu përflitet. Epidemia e emigrimit si rom apo egjiptian, përveç qytetit të Korçës ka nisur të përhapet edhe në qytetin e Pogradecit dhe në atë të Bilishtit. Nuk është çudi që nga këto ethe të largimit nga vendi, të përfshijnë gjithë rajonin. Arben Kosturi, kryetar i shoqatës “Disutni Albania”, na shpjegon se deri më tani, numri i familjeve rome, egjiptiane dhe i familjeve korçare, (që i përkasin mazhorancës), për të tri qytetet e përmendura më sipër, (Korçë, Pogradec, Bilisht), ka shkuar në më shumë se 150 familje. Sigurisht, numri më i madh i familjeve të larguara i përket qytetit të Korçës, pasi në këtë qytet jeta është bërë mjaft e vështirë, ndërsa shpresat për përmirësim janë të pakta. Të gjithë po ikin…

Protesta të romëve në Elbasan dhe Shkodër

Banorët e lagjes pranë stacionit të trenit në Elbasan, janë revoltuar kundër varfërisë që mbizotëron në këtë zonë. Banoret e komunitetit rom në lagjen “Skënderbe” në Elbasan kanë protestuar për kushtet e jetesës. Të irrituar ata thonë se ndihen të diskriminuar, pasi jetojnë në një zonë, kur u bëhen vetëm premtime në prag zgjedhjesh, që nuk mbahen kurrë. Papunësia është problemi më kushtëzues për ta ndaj kanë zgjedhur të ikin nga Shqipëria. Ndërkohë që në Shkodër komuniteti rom protestoi 3 ditë më parë, kur një vajzë romë u dogj në barakat, pasi e zuri zjarri brënda…

Krizën po e ndien dhe “gabi”

Pranvera Avdia kishte mbase dyqanin më të frekuentuar në zonën e ish-Bllokut. Të gjithë e njihnin “Verën”, e cila tregtonte rroba të përdorura shumë pranë Fakultetit Juridik në Tiranë. Ajo punonte kryesisht me klientë të zgjedhur, të cilat i telefononte sa herë sillte “mall të ri”. Pranvera u shpreh se pjesa më e madhe e tyre ishin në punë të mira, kryesisht në banka. Mirëpo në 11 mars të 2019-s, Vera bëri kërkesë për ta pezulluar aktivitetin. E pyetur për arsyet se përse e mbylli aktivitetin, Vera, 39 vjeçe, tha se “në dyqan nuk po kishte më punë, nuk po paguaja dot as qiranë dhe as detyrimet në Tatime. Tani jam e papunë. Kam rënë shumë keq”. Edhe Flutrim Jakllari, kaloi në status pasiv biznesin e tij. Ndaj të gjithë duan të ikin dhe të kërkojnë shpresën në Europë.