Rooney, drejt kthimit në Angli si lojtar dhe trajner

0

Wayne Rooney rishfaqet në Angli. Futbollisti 33-vjeçar, sikurse njoftojnë mediet britanike po projekton një rikthim befasues në futbollin anglez si një lojtar-trajner i Derby County-t.

Ish-sulmuesi i Manchester United u shfaq i buzëqeshur në fotot që realizoi me bashkudhëtarët, ndërsa priste bagazhet në aeroportin Heathrow të Londrës.

I veshur me një kostum sportiv ngjyrë gri, Rooney u mundua të mos binte në sy, por ishte e pamundur.

Sulmuesit anglez i kanë mbetur edhe 13 muaj kontratë nga marrëveshja 3-vjeçare me DC United në Major League Soccer, por ai fluturoi për në Angli të hënën natën dhe pritet të përfundojë transferim në “Pride Park” këtë të martë.

Rooney është përshtatur mjaft mirë me jetën në SHBA, por ka planifikuar prej shumë muajsh hapin tjetër në karrierën e tij, për t’iu dedikuar trajningut.

Edhe pse është në kontratë me DC United deri vitin e ardhshëm, Rooney ka dëshirë ta prishë para kohe marrëveshjen. Menaxheri i tij, Paul Stretford, zhvilloi bisedime paraprake me pronarin e Derby-t, Mel Morris.

Besohet se Wayne Rooney mund ta anulojë brenda kësaj vere kontratën me Dc United, për të nisur përvojën e re si lojtar-trajner. /Supersport/