Rrahim Beqiri, luftëtari emblematik i tri luftërave tona çlirimtare

0

Rahim Beqiri lindi më 1 janar të vitit 1957, në fshatin Kopërnicë të Kamenicës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Dardanë, (Ish Kamenicë). Ka kryer studimet në Degën-Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1980. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në demonstratat dhe protestat e vitit 1981, ku ishte afishuar kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës. Duke qenë me prejardhje nga familjet atdhetare, ishte i ndjekur, i burgosur dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav i asaj kohe.

Në vitin 1990, për shkak të intensifikimit të terrorit shtetëror serb kundër shqiptarëve, ashtu sikur edhe shumë të rinj të tjerë liridashës nga Kosova e më gjerë, ishte detyruar të largohej nga vendi dhe ishte vendosur në Gjermani. Aktivitetin e tij politik e kishte vazhduar në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë e cila vepronte në përgatitjen e luftës së armatosur kundër pushtimit serb të Kosovës.

Me të filluar lufta e UÇK-së, në Zonën e Karadakut e Gjilanit, Rrahim Beqiri i bashkohet radhëve të luftës te komandanti i Zonës, Ahmet Isufi. Fillimisht ishte sistemuar në Zonën e Marecit. Ka marrë pjesë në luftimet e shumta që ishin intensifikuar në atë zonë sidomos në muajt e fundit të luftës, ndërsa ishte me luftëtarët e parë që hyri fitimtar në qytetin e Gjilanit, në qershor të vitit 1999.

Pas çlirimit kishte rënë në konflikt me forcat ruse, që ishin nisur nga Republika serbe e Bosnjës dhe kishin hyrë në Kosovë në kuadër të forcave të KFOR-it. Ishte burgosur dhe ishte matretuar fizikisht nga forcat ruse, të cilat vepronin në territore të ndryshme, gjoja për ta ruajtur pakicën serbe, edhe pse shumica e tyre, së bashku me ushtrinë serbe ishin larguar nga Kosova, nga frika për hakmarrjen e shqiptarëve, meqë kishin kryer krime barbare kundër popullatës civile shqiptare, sidomos gjatë kohës së luftës.

Pas dëbimit përfundimtar dhe të turpshëm të forcave ushtarake dhe policore nga Kosova ashtu sikur ishte paraparë me Marrëveshjen e Kumanovës të 10 qershorit të vitit 1999, kur Serbia kishte nënshkruar kapitullimin, forcat serbe në shenj hakmarrjeje, për dëmin e tyre nga Kosova fillojnë represionin në fshatrat dhe qytetet e Kosovës Lindore. Ata kishin vrarë 15 civilë shqiptarë liridashës në Bujanoc dhe kishin vendosur punktet që kishin për qëllim dëbimin e popullatës shqiptare nga trojet e tyre etnike, të mbetura nën Serbi.

Asokohe, Rrahim Beqiri ashtu sikur edhe qindra liridashës nga Kosova e trojet shqiptare, kryesisht luftëtarë të radhët të UÇK-së, organizuan Ushtrinë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjes e Bujanocit. Ai iu bashkua radhëve të çlirimtarëve dhe betejë pas beteje u arrit që forcat policore dhe ushtarake serbe të dëbohen nga lokalitetet etnike shqiptare të tri komunave të Kosovës Lindore. Fillimisht aktivitetin e tij luftarak e ka zhvilluar në Zonën e Qarrit.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, në pranverë të vitit 2001 e cila parashihte demobilizimin e UÇK-së, pa ndonjë garanci ndërkombëtare që të mos ktheheshin në atë zonë forcat dhe administrata serbe, Rrahim Beqiri , ashtu sikur edhe qindra luftëtarë të tjerë, nuk i dorëzuan armët por depërtuan në trojet shqiptare në Maqedoni ku edhe ishte formuar Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila kishte për qëllim që shqiptarëve t’iu siguronte liri, barazi e drejtësi, ose të luftohej për ndarjen e trojeve shqiptare nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë e cila për herë të parë ishte krijuar si Republikë, në nëntor të vitit 1945 nga Jugosllavia. Rrahimi ashtu sikur edhe shumë luftëtarë liridashës nuk ishte pajtuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit.

I armatosur me përvojë të jashtëzakonshme, strategji luftarake e zemër fisnike, ai kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, fillimisht në Tanushë ku edhe ishte thyer kufiri i Kosovës me Maqedoninë dhe pas një kohe depërton në zonën e Tetovës.

Nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së merr detyrën e Komandantit të batalionit, në zonën e luftës në rrethin e Tetovës, në lokalitetin e Drenovecit, asokohe i quajt Drenas.

Gjatë luftimeve të ashpra, të cilat ishin intensifikuar me rritjen e UÇK- dhe përgatitjen e mijëra ushtarëve për të depërtuar në Shkup, forcat sllavomaqedone të ndihmuara nga ato serbe e ruse kishin intensifikuar sulmet me qëllim për tç pamundësuar depërtimin e luftëtarëve shqiptarë, për të depërtuar në qytete.

Më 1 gusht të viti 2001, Rrahim Beqiri i njohur si Komandant Roki, merr plagë vdekjeprurëse në zonën e tij të luftimeve në Drenas të Tetovës. Bashkëluftëtarët e tij duke parë se plagët ishin të rënda, me shpejtësi organizohen dhe trupin e Rrahim Beqirit e nisin në drejtim të Spitalit të Prishtinës, ku edhe i jepen të gjitha ndihmat e nevojshme mjekësore, por nuk kishte arritur të mbahej në jetë.

Natën e 1 gushtit të vitit 2o01, në moshën 44-vjeçare, për herë të fundit thithi ajrin e Kosovës së lirë dhe ndërroi jetë, luftëtari i tri luftërave çlirimtare, Rrahim Beqiri. Varrimi, me nderime ushtarake, u bë në Varrezat e Dëshmorëve Dardanës, më 2 gusht ku morën pjesë mijëra liridashës shqiptarë nga Kosova, Kosova Lindore e Maqedonia.