Rrëfim i padëgjuar: Çfarë mesazhi i dha Rifat Jashari përmes telefonit Bashkim Jasharit pas ngjarjes së 5, 6 e 7 marsit në Prekaz

Shekip Fazliu, bashkëluftëtar i Adem Jasharit ka treguar se pas vrasjes së 52 anëtarëve të familjes, nipi i tij, Bashkim Jashari nuk kishte komunikuar me askënd.

Ai thotë se Bashkimi nuk donte të fliste me babain, Rifat Jashari dhe familjarët e tij që ishin në Gjermani.

“Kisha dashtë ta theksoj telefonatën e parë që e kishte Bashkimi. Baci Rifat, Murati, Luli dhe Bekimi ishin në Gjermani në atë kohë dhe unë isha me Bashkimin i shoqëruar me disa shokë tanë sepse Bashkimi hezitonte dhe ne hezitonim ta lëmë të konktatonte me njerëz tjerë sepse ishte përgejgjësi e madhe ta ruajmë dhe ta kemi pranë”, tha ai.

Fazliu tregon se pasi gjetën mundësinë për të kontaktuar me Rifat Jasharin, Bashkimi hezitone por që më pas pranoi ta telefononte atë.

“Unë shkoj në Gllanasellë në një mbrëmje për të marrë gjëra ushqimore dhe shoh që ishte telefoni… U ktheva te Bashkimi po i them që e kemi mundësinë me fol me bacën Rif, Bashkimi po-jo, nuk donte shumë të komunikonte me askënd ka pasur tentime të shokëve me ardhë me pa, por ato ditë nuk kemi komunikuar, jemi rezervuar shumë”, tha ai.

Tutje, Fazliu rrëfen edhe mesazhin që i dha Rifat Jashari djalit të tij, Bashkim, pas vrasjes së familjes së tyre.

“Më kujtohet unë me Bashkimin, Nagipin shkojmë në Gllanasellë. Emini dhe Nagipi për me ruajt marrin pozicionet jashtë, unë qëndroj brenda te Bashkimi e thërrasim bacin Rif, lajëmrohet. Dmth ishte telefonata e parë e Bashkimit që ia bën bacit Rif. Vazhduan bisedat e tyre si ka ndodh, çka ka ndodh, e rrëfeu për bacin Rif dhe njëra nga fjalët e bacit Rif më kujtohet çka i tha: Bashkim bashkoj shokët sepse jo rastësisht e ki emrin Bashkim, duhet t’i bashkosh të gjithë shokët për rrugën që e kemi nisur e kemi ditur jemi të vetëdijshëm se duhet vazhduar tutje”, rrëfen Fazliu.

Madje, ai tregon se në momentet kur po fliste me babain, Bashkim Jasharit i kishin rrjedhur lotët.

“Në ato momente për herë të parë unë ia shoh lotët dhe të fundit thotë në rregull babush ne vazhdojmë tani. Bashkimi më vonë iu ribashkohet grupit të Prekazit, unë vazhdoj u paraqit nevoja të shkojmë në Shalë të Bajgorës me Rrahmanin. Themelohen njësitë e para për me vazhdu bashkëpunimin e me Njësinë e Llapit”, shtoi ai.

Po ashtu, Fazliu thekson se Rifat Jashari i kishte premtuar Bashkimit se po të ishte nevoja të gjithë anëtarët e familjes që ishin në Gjermani do t’iu bashkohen UÇK-së./BotaSot