Rrëfimi i Enver Robellit për Arbenin nga Struga, gjahtar me shumë trofe në Zvicër

INA
INA

11 Gusht, 2023

Enver Robelli

Fjala ime e mbajtur të enjten në Strugë, me rastin e promovimit të librit tim “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë. Një histori e pazakonshme e shekullit të 20-të”.
****
Nuk besoj që këtu, mes nesh, gjendet Arben Ismaili. Në vitin 2012, para më shumë se një dekade, në një gazetë të Zvicrës juglindore po lexoja një portret të tij. „Unë jam dhe mbetem shqiptar“, thoshte Arbeni. Një djalë nga Struga. Më saktë: një djalë nga një fshat i Strugës. Jetonte në Chur, në kryeqytetin e kantonit Graubünden, një rajon me tri gjuhë zyrtare – retoromanisht, gjermanisht dhe italisht. Retoromanishtja është gjuha e minoritetit retoroman të Zvicrës.
Arsyeja përse gazeta zvicerane po e portretonte një shqiptar nga Struga ishte e pazakontë: Arben Ismaili merrej me gjueti. Në Zvicër! Dhe si gjahtar i shkathtë kishte rrëzuar përtokë një cjap alpin – një cjap 14-vjeçar. Në banesën e tij qëndronin të varura shtatë trofe gjuetie. Kushedi sa trofe ka siguruar ndërkohë. Arbeni nga Struga!
Si filloi kjo histori? Një ditë Arbenin e mori me vete xhaxhai i tij dhe dolën për gjah në fshatin Zagraçan. Zagari që i shoqëronte e nuhati një lepur. Xhaxhai ishte i moshuar dhe s’mund të vraponte, Arbeni ishte i ri dhe mund ta vraponte. Xhaxhai ia dorëzoi pushkën Arbenit, i cili e vrau lepurin e parë të jetës së tij si gjuetar.
Në Zvicër Arbeni bleu një zagar. „Së pari desha t’i flas gjermanisht“, tregonte Arbeni, por pastaj ai vendosi t’i jap urdha në shqip. Që nga atëherë zagari i Arbenit dëgjon vetëm urdhrat në gjuhën shqipe. Mund ta paramendojmë tani një gjahtar nga Struga duke i bërtitur zagarit të tij në shqip nëpër alpet e Zvicrës. Mund ta imaxhinojmë një strugan peshkatar në Strugë, por gjahtar në Zvicër?
****
Shqiptarët, siç po e vëreni, mund t’i hasni çdokund, edhe në alpet e Zvicrës – me zagar e me pushkë gjuetie. Ose në fushën e gjelbërt: për shembull futbollistin Pajtim Kasamin, të cilin e njihni, besoj, të gjithë këtu. Ndonëse i lindur në Zvicër, ai mbetet besnikërisht i lidhur me Strugën.
****
Më 6 qershor 1933 shkrimtari zviceran Max Frisch i shkruante nga Dubrovniku nënës së tij në Zvicër se e kishte ndërmend të udhëtojë në disa vise të Ballkanit ku rrallëherë shkelin europianët. Për ta qetësuar nënën e tij, e cila frikësohej se në Ballkan mund t’i ndodhte diçka e keqe të birit të tij, Frisch më 9 qershor i dërgonte asaj një kartolinë, përmes së cilës e njoftonte se udhëtimi me veturë po shkonte mirë, sot në Shkup, nesër, vazhdonte Frisch, do të udhëtojmë pranë Liqenit të Ohrit në kufi me Greqinë. Një ditë më vonë Frisch prapë i shkruante nënës së tij, me plot entuziazëm: “Përshëndetje të përzemërta nga Liqeni i Ohrit, ku kemi arritur pas një udhëtimi madhështor nëpër një vend interesant. Trevë e mrekullueshme në kufi me Greqinë”.
Pasi i ka parë disa shqiptarë duke ndërtuar një urë, Frisch shkruan se puna e shqiptarëve më shumë i ngjan luftës. Dhe kjo pamje atij ia shpjegon edhe arsyen përse kanë mbijetuar shqiptarët nga Shqipëria në Maqedoni. Sepse, do të shtonim këtu, puna e shqiptarëve gjatë historisë ishte luftë – për mbijetesë.
****
Më 1863 Ohrin e vizitoi Johann Georg von Hahni, i cili konsiderohet si babai i albanologjisë. Hahni e krahasoi Liqenin e Ohrit me Laggo Maggioren, një liqen madhështor mes Italisë veriore dhe Zvicrës, ndërsa Max Frischi më shumë e vinte theksin te anët ekzotike të Liqenit të Ohrit, te kodrat e mbuluara me borë, te sipërfaqja e liqenit ngjyrë argjendi dhe një barkë që luhatet nga era që fryn papritmas. Frisch vizitoi edhe Manastirin e Shën Naumit bashkë me disa turistë gjermanë. Frisch, mes tjerash, tregon edhe këtë histori: një pop po i njoftonte turistët gjermanë se një vrimë në manastir ishte pasojë e një bombe gjermane nga Lufta e Parë Botërore. Një turist gjerman ndërhyri duke thënë se gjatë Luftës së Parë Botërore kishte qenë ushtar në këtë rajon dhe ndoshta bomba e tij e kishte goditur manastirin. Duke dëgjuar këto rrëfime Max Frisch, atëbotë vetëm 22-vjeçar, mes rreshtave dhe me talentin e madh për formulime nënkuptuese, shkroi se me gjasë edhe popi ortodoks i Shën Naumit, edhe gjermani po tregonin përralla me bomba.
****
Bashkë me Johann Georg von Hahnin në Ohër erdhi edhe fotografi vjenez, Josef Székely (1838-1901). Supozohet se me fotografitë që i shkrepi në viset shqiptare, Székely fitoi medaljen e bronztë në Ekspozitën Botërore në Paris më 1867. Fotografitë e tij nga Liqeni i Ohrit, nga Kalishta e Shën Naumi janë dokumente të rëndësishme të kohës. Nuk e di nëse në Strugë ndonjë rrugë bart emrin e Johann Georg von Hahnit apo të Josef Székely-it: nëse jo, do të ishte mirë që trashëgimia e tyre të përkujtohej e lartësohej në këtë qytet të bekuar me aq shumë bukuri.
****
Kam qenë disa herë në Strugë, por vizita ime më e paharrueshme ka qenë nga mesi i marsit të vitit 2005, kur për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore kryetar i Strugës u zgjodh një shqiptar. Ata që kanë lindur më 2005, tani janë 18-vjeçarë. Domethënë kanë të drejtë vote. Për të ardhmen e këtij qyteti dhe shumë qyteteve të tjera në Ballkan është me rëndësi të ndodhin ndryshime pozitive politike, të qeverisin politikanë të tjerë, të rinj dhe të pangarkuar nga fenomenet dhe demonët e së kaluarës.
****
Dikur, për shembull në vitet 80-të, lidhjet mes këtij rajoni dhe kryeqytetit të Kosovës kanë qenë shumë më intensive. Nga Prishtina vinte në lagjet e Strugës gazeta “Rilindja”, nga Struga në Prishtinë vinin qindra studente dhe studentë – disa kanë mbetur në Kosovë, janë martuar e kanë krijuar familje. Disa janë kthyer dhe me vete kanë marrë vajza apo djem nga Kosova. Me pak humor mund të themi që Universiteti i Prishtinës në vitet 70-të dhe 80-të ishte jo vetëm institucioni më i rëndësishëm arsimor i shqiptarëve të Jugosllavisë, por edhe një lloj platforme jo-virtuale për t’u njohur njerëzit mes vete, pra njëfarë Tinderi akademik i epokës paradigjitale! Përmes bashkëkombësve tanë nga Struga e Ohri në Kosovë depërtoi edhe dialekti tosk – madje disa vite para se të standardizohej gjuha shqipe.
****
Do të ishte mirë të gjallëroheshin lidhjet mes kësaj treve të banuar me shqiptarë dhe Kosovës. Pse gjatë vitit shkollor të mos shkojnë një javë në Pejë a në Prizren gjimnazistët e Strugës dhe përse të mos vijnë në Strugë bashkëmoshtarët e tyre nga Kosova? Duhet vetëm pak angazhim dhe disa politikanë e funksionarë arsimorë me mendje të hapur. Njeriu është qenie sociale dhe përfiton nga kontaktet dhe përvojat e të tjerëve.
****
E falënderoj shumë Jetmir Demirin, i cili një ditë, ndërsa po rrinim në një lokal në Zürich, propozoi promovimin e këtij libri në Strugë. Kolegu im i çmuar Nazim Rashidi u tregua i gatshëm të ndihmojë jo vetëm në moderimin dhe organizimin e bashkëbisedimit të sontëm. Menaxherët e restorantit Aquarius ishin aq bujarë dhe na e vunë në dispozicion këtë hapësirë aq mahnitëse pranë liqenit të Ohrit. Unë ju falënderoj pa masë për pjesëmarrjen, për dashamirësinë dhe zemërgjerësinë tuaj. Uroj të presim autorë apo autore nga Struga në Prishtinë – për fat të keq një qytet pa liqen dhe pa lumë, por zemërhapur, siç ka qenë shpesh gjatë historisë bashkëkohore të shqiptarëve.
Do të mund të flisnim shumë për solidaritetin dhe ndihmën e ndërsjellë gjatë viteve të vështira 1998, 1999 dhe 2001. Por mendoj se më e rëndësishme është të flitet për të ardhmen – që të mos mbesim pengje të së kaluarës, çfarëdoqoftë ajo – e lavdishme apo më pak e lavdishme. Vetëm nga lavdia nuk jetohet.
Faleminderit nga zemra!

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

2

Presidentja Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi

Norvegjia

Norvegjia është jetë për ballkanasit, ja sa janë rrogat dhe profesionet më të paguara?

dashnim hebibi

Në tre librat e rinj të Dashnim Hebibi, do të gjeni veten të pasqyruar në petk fisnikërie

policia italiane

Vritet me kaçavidë shqiptari në Itali, autor i ngjarjes një bashkatdhetar (FOTO)

zvicer-1

I dënuari për racizëm ndaj shqiptarëve mund të zgjedhet kancelar federal i Zvicrës

us viza visa

Viza amerikane, 26.29% e aplikimeve nga Maqedonia janë refuzuar nga SHBA vitin e kaluar

zvicer-policia

“Për të mirën e taksapaguesve” – politikani zviceran e parkon veturën në zonën e ndaluar

gjermani jeta

53 mijë qytetarë të Maqedonisë vitin e kaluar janë shpërngulur në Gjermani

protesta noendorf

Neuendorf/Rreth 300 gra nga Maqedonia protestojnë për paga më të larta

INFO

NA NDIQ