Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, rreth 190 mijë persona në Maqedoni nga mosha 25 deri në 54 vjeç nuk janë të punësuar, as nuk kërkojnë punë, përkatësisht klasifikohen si popullatë joaktive, përcjell INA.
Sipas të dhënave të fundit të statistikave shtetërore, që janë të vitit 2021, janë ende 130 mijë persona të tillë të moshës 55 deri në 64 vjeç dhe mbi 20 mijë nën moshën 24 vjeç, të cilët nuk janë nxënës apo studentë. Janë gjithsej 340 mijë persona më të rinj se 64 vjeç, të cilët nuk janë të përfshirë në tregun e punës, pra nuk kanë punësim, por as që kërkojnë punë.
Biznesmenët prej një periudhe të gjatë ankohen se nuk ka punëtorë dhe tashmë qeveria ka nisur të mendojë për importimin e fuqisë punëtore nga jashtë për të plotësuar mungesën. Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se përveç rreth 120 mijë të papunëve, janë trefishuar ata që nuk kërkojnë fare punë.
Të dhënat e agjencisë evropiane të statistikave Eurostat tregojnë se Maqedonia ka shkallë shumë më të ulët të aktivitetit të popullatës punëtore sesa Bashkimi Evropian (BE). Sipas të dhënave të tyre, më pak se 79 për qind e popullatës në Maqedoni të moshës 25 deri në 54 vjeç punojnë ose kërkojnë punë. Mesatarja në BE është pothuajse 85 për qind, dhe në vende të tilla si Lituania, Suedia, Zvicra apo Sllovenia, mbi 90 për qind e njerëzve të aftë për punë nën moshën 54 janë të përfshirë në tregun e punës.
Zoran Koçovski nga agjencia Kouzon, me më shumë se dy dekada përvojë në ndërmjetësimin për punësim, thotë se shifrat në Maqedoni janë të ekzagjeruara.
Të dhënat nga statistikat shtetërore tregojnë se dy të tretat e popullsisë joaktive janë gra, të cilat janë kryesisht amvisë.
Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, para dy javësh tha se nevojitet një përfshirje më e madhe e grave në tregun e punës dhe se kjo sjell rritje më të madhe ekonomike.
Disa nga njerëzit që nuk kërkojnë punë kujdesen për fëmijët, nipërit apo prindërit e moshuar, kujdesen për shtëpinë, mbjellin një kopsht të vogël për të prodhuar ushqim për nevojat e shtëpisë. Të tjerëve, fëmijët e emigruar u dërgojnë para për të jetuar dhe herë pas here shkojnë jashtë shtetit për të kujdesur për nipërit e mbesat e tyre. Profesor Zdravko Saveski nga Instituti për Shkenca Sociale dhe Humane – Shkup thotë se cilësia e jetës nuk varet gjithmonë nga paratë.
Pothuajse 40 për qind e popullsisë joaktive në Maqedoni të moshës 25 deri në 54 vjeç, pra 73 mijë persona, kanë arsim të mesëm, rreth 7 për qind, pra rreth 15 mijë persona kanë arsim të lartë, gjysma me arsim fillor, ndërsa pjesa tjetër pa arsim fillor.
Megjithatë, Maqedonia nuk është më e keqja në Evropë. Turqia ka përqindjen më të ulët të popullsisë aktive, ndërsa Mali i Zi dhe Italia kanë gjithashtu më pak se Maqedonia./REL