Rreth 800 francezë me “Pezho 205” do ta ‘pushtojnë’ sot Kriva Pallankën

0

Rreth 800 francezë me 260 automjete “pezho 205” sot duhet të arrijnë në Kriva Pallankë dhe të dhurojnë rreth 100 kilogramë material shkollor.

Ata janë pjesëmarrës në karvanin “Europ raid”, që për të gjashtin vit me radhë shëtitë Evropën, duke kaluar 20 shtete për 23 ditë dhe duke kalaur rreth 10.000 kilometra.

“Ruta e sivjetme e “Europ raid” filloi më 27 korrik dhe do të zgjasë deri më 17 gusht. Pjesëmarrësit do të dhurojnë 17,5 tonë material dhe pajisje shkollore në disa qytete ballkanike. Kriva Pallanka është zgjedhur për vizitë dhe donacion sepse është aktive në sferën e Frankofonisë. Donacione do të ketë edhe për shkolla në Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri dhe Bullgari, transmeton MIA.

Në kuadër të kësaj ngjarje, Kriva Pallankën do ta vizitojë edhe ambasadori francez në vend, Kristian Timonie, i cili do të ketë takim me kryetarin e Komunës, Borjanço Micevski. Ambasada e Francës kumtoi se në takim do të bisedohet për përforcimin e bashkëpunimit të decentralizuar, posaçërisht përmes këtij projekti të rëndësishëm të solidaritetit francez të shndërruar në aktivitet turistik, si dhe për projekte zhvillimore të komunës – gazifikim, pushimore dimërore sportive, bujqësi organike…

Misioni i “Europ raid” si edhe gjatë pesë edicioneve të kaluara është në frymën e solidaritetit dhe është me qëllim që t’u ndihmohet fëmijëve të cilët nuk kanë qasje drejt shkollave apo jetojnë në kushte të pavolitshme. Pjesëmarrësit e karvanit dhurojnë nga së paku 100 kilogramë pajisje shkollore apo sportive në shtetet nëpër të cilat kalojnë.