Rriten kërkesat e shqiptarëve për azil në Greqi

Sipas të dhënave që i publikoi këto ditë Ministria greke e Emigracionit, gjatë vitit 2017 ka patur një rritje të ndjeshme të kërkesave të shtetasve shqiptarë për azil në Greqi.

Të dhënat zyrtare tregojnë se më se 2450 qytetarë shqiptarë kërkuan azil në Greqi në vitin 2017. Kjo shifër është mjaft e lartë në krahasim me vitin 2013, kur kishte vetëm 419 kërkesa të tilla, raporton Zëri i Amerikës.

Por nga 2450 kërkesa, vetëm 1504 i kanë kaluar proceduart e para të përzgjedhjes, sipas legjislacionit grek për azilin. Pjesës tjetër u është refuzuar kjo kërkesë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Greqia, për periudhën 2013 – 2018, vetëm 8 shtetasve shqiptarë u është miratuar kërkesa për azil. Edhe në dy muajt e parë të vitit 2018 kërkesat për azil nga shqiptarët mbeten të larta ne Greqi.

Sipas Ministrisë greke të Emigracionit, në këtë periudhë janë regjistruar 460 kërkesa të shqiptarëve, gati gjysma e të cilëve e kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes.

Shqiptarët renditen pas sirianëve, pakistanezëve, afaganëve dhe irakianëve sipas kërkesave për azil në Greqi. (r.m.)