Rriten tensionet në Itali, një javë para zgjedhjeve

0

Vetëm një javë para zgjedhjeve të përgjithshme, tensionet janë të larta në Itali. Mijëra vetë marshuan në mënyrë paqësore për të protestuar kundër fashizmit dhe racizmit në Romë, ndërsa demonstrata të ngjashme u zhvilluan në qytete të tjera. Në Milano ndërkohë u zhvillua një kundër-tubim nga një grup neo-fashist, ku policia u ndesh me protestuesit e krahut të majtë.

Dhjetëra mijëra protestuan në të gjithë Italinë: tubimet e mëdha ishin në Romë, Milano dhe Palermo. Demonstrata u mbajtën nga grupe antifashiste dhe të ekstremit të djathtë. Vetëm një javë para zgjedhjeve të përgjithshme, tensionet janë të larta. Grumbullimi më i madh kundër racizmit dhe ksenofobisë u mbajt në kryeqytetin italian me njerëz që udhëtuan në Romë nga i gjithë vendi.

Në Palermo, ku ditë më parë një udhëheqës neofashist u sulmua në rrugë, dyqanet u mbyllën herët për shkak të frikës nga dhuna mes protestuesve të ekstremit të majtë dhe atyre të ekstremit të djathtë. Tubimi kundër racizmit në Romë, nën sloganin “Asnjëherë më fashizëm”, pati pjesëmarrjen e shumë politikanëve, duke përfshirë kryeministrin Paolo Gentiloni dhe paraardhësin e tij, Matteo Renzi.

“Kjo është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. E gjithë partia demokratike është këtu. Është e rëndësishme që kryeministri është këtu sot” tha Matteo Renzi.

Pavarësisht shiut, ishte një tubim i gjallërishëm me demonstruesit që mbanin flamuj dhe pankarta antifashiste dhe anti-raciste. Njëri prej tyre lexonte: “Ka vetëm një racë: raca njerëzore”.

“Ne jemi këtu sot sepse në vendin tonë është një situatë e vështirë dhe ne i shohim agresionin dhe episodet e dhunës që ndodhin çdo ditë. Mendojmë se është e drejtë të ripohojmë vlerën e rëndësishme dhe themelore të vendit tonë, atë të antifashizmit” tha Nicolo Orlino, një protestues.

Marshuesit thanë se tensionet racore janë rritur në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 4 marsit dhe përmendën sulmin e fundit kundër emigrantëve në qytetin e Maceratës. Në atë incident, një 26-vjeçar italian, simpatizant i lëvizjeve neo-naziste, plagosi gjashtë emigrantë afrikanë.

Ndërsa në Milano, kreu i Lega Nord, partisë kundër imigracionit, Matteo Salvini, iu drejtua mijëra mbështetësve me një mesazh: italianët duhet të vijnë të parët! Ai tha se imigrantët që sjellin kulturën dhe pasurinë e tyre në Itali ose ata që i arratisen luftrave janë të mirëseardhur, duke shtuar se një qeveri e drejtuar prej tij do të ndihmonte afrikanët në vendet e tyre të origjinës.

Salvini tha se do të udhëheqë një qeveri e cila do të mendojë për njerëzit në nevojë dhe që do të shkojë në Afrikë për të garantuar një të ardhme për fëmijët aty, pa i çrrënjosur ata nga vendet e tyre.

Jo shumë larg, protestuesit e krahut të majtë që kundërshtonin lëvizjen e djathtë të skajshme CasaPound, u përleshën me policinë, ndërsa ata u përpoqën të hynin në një tubim të mbyllur. /VoA