Rritja e moshës për pensionim, reformë e dhimbshme

Picture of designer@fetishimedia.ch

23/01/2023

Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor konsideron se janë të pranueshme rekomandimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore se në Maqedoninë e Veriut duhet rritur mosha e pensionimit.

Megjithatë, nga ky institucion thonë se kjo shtyllë është e qëndrueshme dhe se në vazhdimësi realizohen pagesat për mbledhjen mjeteve për pension.

“Fondi Pensional dhe Invalidor është i qëndrueshëm, kryen pagesa të rregullta të të hyrave pensionale. Megjithatë, reformat në sistemin pensional do të kontribuonin në përmirësimin e standardit të jetesës së përfituesve aktualë dhe të ardhshëm të pensioneve”, janë përgjigjur shkurt nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut.

Çka thotë ligji?

Në bazë të Ligjit për marrëdhënie pune në Maqedoninë e Veriut, gratë mund të dalin në pension në moshën 62-vjeçare dhe me vetëdashje të vazhdojnë edhe dy vjet të punojnë, ndërkohë që të drejtën e pensionimit burrat e fitojnë në moshën 64-vjeçare.

Elena Ivkovska, 55-vjeçare, e cila punon në një sallon si floktare, thotë për Radion Evropa e Lirë se i duhen edhe shtatë vjet për të fituar të drejtën e pensionit, porse që tani puna është bërë e papërballueshme dhe mezi pret të pensionohet.

“Unë ndihem e rraskapitur nga qëndrimi në këmbë tërë orarin e punës. Për mua, madje, edhe plotësimi i kushtit për të arritur moshën 62-vjeçare për pensionim, mbetet shumë i lartë. Megjithëse jam e vetëdijshme se nëse rritet me këtë dinamikë numri i pensionistëve, sistemi ynë pensional do të bëhet i paqëndrueshëm”, shprehet Ivkovska.

Por, Mefail S. që punon si instruktor, thotë se edhe katër vjet del në pension, porse shton se do të kishte dashur të punonte edhe pas moshës 64-vjeçare.

“Nëse më premton shëndeti, gjithsesi do të punoj, pse jo. Megjithëse puna ime nuk është e vështirë fizikisht, por është stresuese, e theksoj se do të punoja vetëm nëse paga rritet aq sa të jetë shumë më e lartë se pensioni, që ta kem motivim. Ndryshe, do të pensionohem”, thotë ai.

Sindikata: Harmonizimi i pragut të pensionimit, i pabazë

Për sindikalistët, propozimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore(BB) për harmonizim të pragut të pensionimit me vendet BE-së, është i pabazë për faktin se nuk mund të krahasohet cilësia e jetës që kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut me atë të qytetarëve të Bashkimit Evropian.

Sllobodan Trëndafillovski nga Sindikata e Punëtorëve rikujton se organizata që përfaqëson, që në vitin 2020 ka propozuar më shumë shtylla për përfitimin e së drejtës për pensionim, si: pensionimi në bazë të përvojës së punës pavarësisht moshës, mundësisë për të blerë pesë vitet e fundit nëse dilet në pension para kohe, si dhe aplikimi i stazhit të benificuar për kategori të ndryshme.

“Fuqia punëtore në Maqedoninë e Veriut duhet ripërtërirë. Duhet krijuar kushte për vende të reja pune, për t’i mbajtur të rinjtë në vend. Nuk duhet t’i nisim jashtë vendit që me potencialin e tyre të ndërtojnë bizneset e huaja. Kjo do të arrihet nëse ulet pragu i moshës për pension dhe jo ai të rritet”, thotë Trëndafillovski.

Punëdhënësit mirëpresin idenë për rritjen e moshës së pensionimit

Mile Boshkov, nga Konfederata e Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, konsideron se rritja e moshës për dalje në pension për veprimtari të caktuara afariste, do të ishte e mirëseardhur për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në vend.

“Ne si punë dhë në s, për çdo moment, për çdo ditë humbim punëtorë profesionistë në çdo profesion. Ky është çmimi që e paguajmë të gjithë ne për shkak të politikave të këqija që na ofrohen nga shteti.Kur bëhet fjalë për Ligjin për marrëdhënie pune, sigurimin pensional, atë invalidor dhe Ligjin për pensionim, ne kemi rregullativë të mirë ligjore, por duhet të kemi të qartë se bota ndryshon dhe ne duhet t’u përshtatemi ndryshimeve në tregun e punës”, thotë Boshkov për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se për të mos i humbur punëtorët të drejtat e fituara, duhet t’u lihet mundësi e hapur që ata që dëshirojnë të vazhdojnë me punë, të mund të mbeten në tregun e punës edhe pas moshës 64-vjeçare dhe ata që ndihen se nuk kanë fuqi për punë, të dalin në pension në këtë moshë.

“Do të duhet të bëjmë një zgjidhje ligjore të tillë, e cila do të ofrojë zgjidhje që ata që dëshirojnë të shkojnë në pension – të shkojnë në pension dhe ata punëtorë që është patjetërsueshme të mbeten në tregun e punës – të mund të mbeten. Pra, në asnjë mënyrë nuk jemi për atë që të shkurtohen të drejtat e fituara që presin t’i realizojnë punëtorët pas aq vitesh. Megjithatë, duhet krijuar mundësi që në tregun e punës të mbeten më gjatë ata punëtorë , për të cilët ka nevojë dhe janë të gatshëm të vazhdojnë me punë edhe disa vite”, shton Boshkov.

Në Maqedoninë e Veriut, në fund të vitit 2021 janë regjistruar 572.303 persona, të cilët paguajnë sigurim të detyrueshëm pensional dhe invalidor. Po në të njëjtën periudhë janë regjistruar 328.570 persona përfitues të pensionit.

Në bazë të të dhënave të vitit 2020, kufiri mesatar i moshës së pensionimit në Bashkimin Evropian është 64 vjeç për burrat dhe 63 vjeç për gratë.

Në Evropë, kufiri më i lartë i moshës së pensionimit për burrat dhe gratë është 67 vjeç dhe praktikohet në Norvegji dhe Islandë.

Në Holandë, kufiri i moshës së pensionimit për të dyja gjinitë është 66 vjeç, derisa në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë është 66 vjeç dhe në Gjermani është 65 vjeç.

Për sa i përket vendeve të rajonit, Kroacia ka kufirin më të lartë të së drejtës për pensionim, edhe atë për burrat në 65 vjeç, ndërsa për gratë është 62 vjeç.

Turqia ka moshën më të ulët të daljes në pension, ku burrat pensionohen në moshën 52-vjeçare, kurse gratë 49-vjeçare.

Pasojnë Greqia, Italia, Luksemburgu dhe Sllovenia me 62 vjet për të dyja gjinitë. Shumica e këtyre vendeve ofrojnë, gjithashtu, mundësinë e pensionit të parakohshëm. /REL/

TË FUNDIT

Familja Jashari fton për unitet: Besarta Jashari nuk do të jetë në asnjë listë të partive politike

Artan Grubi tërhiqet nga jeta publike

Milan vuan por merr fitoren e radhës në Champions, Barcelona triumfon ndaj Dortmund, Juve thyen Cityn

Manxhuka:Lajmi për Besarta Jasharin është pavërtetë

Haradinaj në Gjilan premton pagë mesatare prej 1000 euro dhe pensione prej 500 euro

Besarta Jashari, kandidate e VV-së për deputete

ME TE LEXUARA

1
Familja Jashari fton për unitet: Besarta Jashari nuk do të jetë në asnjë listë të partive politike
1
Artan Grubi tërhiqet nga jeta publike
1
Milan vuan por merr fitoren e radhës në Champions, Barcelona triumfon ndaj Dortmund, Juve thyen Cityn
1
Manxhuka:Lajmi për Besarta Jasharin është pavërtetë
1
Haradinaj në Gjilan premton pagë mesatare prej 1000 euro dhe pensione prej 500 euro

LEXO MË SHUMË

Familja Jashari fton për unitet: Besarta Jashari nuk do të jetë në asnjë listë të partive politike

Artan Grubi tërhiqet nga jeta publike

Milan vuan por merr fitoren e radhës në Champions, Barcelona triumfon ndaj Dortmund, Juve thyen Cityn

Manxhuka:Lajmi për Besarta Jasharin është pavërtetë

Haradinaj në Gjilan premton pagë mesatare prej 1000 euro dhe pensione prej 500 euro

Besarta Jashari, kandidate e VV-së për deputete