Rritje e kamatave për “minusin” e kartelave, rritje e kamatave edhe për kreditë! (Infografik)

Iliria News Agency
Iliria News Agency

20/02/2023

Për vetëm një vit, ka një rritje të ndjeshme të kamatave për kreditë e miratuara rishtazi për kompanitë, me ç’rast kamata mesatare tejkaloi 5%. U rritën edhe kamatat për bilancet negative në llogaritë e transaksioneve.

Numri i bankierëve që ndjekin sinjalin e BPM-së për rritjen e kamatës po rritet – ky numër ka arritur nivelin e krizës së vitit 2008, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kamatat e kredive për kompanitë tejkaluan 5%…

Në shkurt, disa banka llogaritën kamata më të larta për bilancet negative të kartelave të kreditit. Klienti i një prej grupacioneve udhëheqëse thotë se këtë muaj ka paguar madje 140 denarë ose 2,3 euro më shumë në krahasim me janarin për bilancin negativ në llogarinë rrjedhëse prej rreth 80.000 denarësh. Në këtë shembull, në nivel vjetor, vetëm për kamatë, shpenzimi prej 8.000 denarësh rritet në 9.600 denarë.

“U befasova pakëndshëm kur pashë se sa ishte rritur kamata për minusin në llogarinë e transaksionit. Banka më merr nga 40 denarë çdo muaj për të mbajtjen e llogarisë së transaksionit, që janë pothuajse 500 denarë në vit dhe 70 denarë të tjera për “e-banking” çdo muaj ose 840 denarë të tjera gjatë vitit. Këto tarifa janë të larta, komisionet (provizionet), kamatat të gjitha po rriten”- thotë një shkupjan, i cili është klient i një banke.

Pas rritjes së shumëfishtë të kamatës bazë nga BPM-ja, bankat tashmë i kanë njoftuar klientët se janë rritur edhe kamatat për kreditë, me fokus kreditë afatgjate dhe ato për banesa, por edhe të bilanceve negative në llogaritë e transaksionit.

“Kam një kredi për banesë me afat kthimi 20 vjet në një bankë. Tre vitet e para kam paguar kamatë fikse dhe më pas më kanë llogaritur kamatë të re, por tani që e kam parë sa është rritur, dua ta kaloj kredinë në një bankë tjetër me kushte më të favorshme” – thotë një tjetër banor i Shkupit.

Të dhënat e fundit të BPM-së tregojnë për rritje të kamatave për kreditë. Në fund të vitit të kaluar, kamata për totalin e kredive arriti në 4,44%, kurse për kreditë e reja 4,83%, dhe pikërisht në to ka rritje më të madhe krahasuar me fundin e vitit 2021.

Kjo tregon se në fillim të këtij viti kompanitë paguajnë kamata dukshëm më të larta krahasuar me periudhën e një viti më parë. Bankierët presin shtrëngim të kushteve të kreditimit për kompanitë në fillim të këtij viti.

“Për tremujorin e parë të vitit 2023, bankat presin shtrëngim të mëtejshëm neto të kushteve të kredive për miratim për kreditë e kompanive. Për shtrëngimin neto të kushteve të kredive ndikojnë “perceptimi i rrezikut”, faktori i pritshmërive për aktivitetin e përgjithshëm ekonomik dhe faktori i pritjeve për perspektivën e degës së cilës i përket kompania, si dhe perspektiva e kompanive individuale” – vlerësojnë bankierët në Anketën e fundit të BPM-së.

“Përsëritja” e vitit të krizës 2008 – bankierët e “dëgjojnë” BPM-në

Anketa e BPM-së këtë herë nxjerr në pah një trend interesant – përqindja e bankierëve që i ndjekin sinjalet e BPM-së për shtrëngimin e politikës monetare po rritet, dhe ky numër ka arritur në nivelin e vitit të krizës 2008.

“Ashtu si edhe në periudhën 2008-2010, dhe në këtë Anketë, rreth 21% e bankave janë përgjigjur se politika monetare ka ndikuar dukshëm në kushtet e kreditimit të sektorit të firmave, gjë që tregon për një transmetim më të fortë të ndryshimeve në politikën monetare ndaj politikës së kamatave të bankave.

Politikën e shtrënguar monetare, që nënkupton kredi më të shtrenjta, po e ndjejnë edhe qytetarët. Kamata mesatare për kreditë e reja të miratuara për amvisëritë në fund të dhjetorit të vitit 2022 arriti në 4,38%.

“Për tremujorin e parë të vitit 2023, bankat presin shtrëngim të theksuar neto të kushteve të kredive për amvisëritë” – thuhet në Anketën e re.

Më 1 janar ka hyrë në fuqi Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, i cili, ndër të tjera, i detyron bankat të publikojnë në mënyrë transparente të gjitha shpenzimet që i kanë pasur klientët dhe mbi çfarë baze. Kështu, bankat informojnë:

Banka llogarit dhe ngarkon tarifa, shpenzime, komisione (provizione) dhe kamata sipas kushteve, brenda afateve dhe në mënyrën e përcaktuar në Rregulloren e tarifës.

Harmonizimi i kamatës për mbitërheqjen e lejuar do të kryhet në baza gjashtëmujore, në datat 1 janar dhe 1 korrik të çdo viti.

Zgjidhja e re ligjore duhet të rrisë konkurrencën në sektorin bankar, gjë që do të sjellë më pak komisione (provizione) për qytetarët./Portalb.mk

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

shkolla shqipe zvicer

Rreth 10 milionë euro të prindërve harxhohen për uniforma, fotografi dhe ushqime

lsm-sindikata780x439-1

LSM: Është e turpshme që në shekullin e 21-të të lutemi për pagë, ditët në vijim do të radikalizojmë protestën

open-balkan

A do të ndodh tërheqja nga Ballkani i Hapur, Osmani e paralajmëron

fatos-rushiti

BDI-së në sfond i buzëqesh opozita

BESIMI

Nënshkruhet Kodi për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike

hoxha555

Shaqiri: Komandat i përgjithshëm i UÇK-së për Maqedoni ka qenë Emrush Xhemajli, jo Ali Ahmeti

664140-6zyFR0KYUH

Kurti: Serbia e ka problem faktin që ekzistojmë si popull dhe si shtet

Kuvendi Parlamenti maqedonise

Nga nesër rrjedh afati i fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare

Peter Stano

BE: Serbia shkeli marrëveshjen, të lejojë menjëherë lëvizjen e lirë

INFO

NA NDIQ