Rrobaqepësia, zanati i fundit në Çarshisë Shkupit

Çarshia e Vjetër e Shkupit nuk është më ashtu sikurse ka qenë, pothuajse ka ndryshuar e tëra. Ndoshta nga pamja jo edhe aq shumë, por në cilësi dhe punë profesionale po. Kështu rrëfen për gazetën Koha mjeshtëri i rrobaqepësisë Nazmi Ali, i cili me përplot emocione – kujton të kaluarën që përmban në vete historia e Çarshisë së Shkupit. Nazmi Ali është njëri ndër rrobaqepësit më të vjetër në Çarshinë e Shkupit. Profesionin e ushtron nga mosha e fëmijërisë e që edhe sot e kësaj dite, si pensionist, vazhdon ta ushtrojë me shumë elan dhe pasion. Me keqardhje thotë se rrobaqepësia sot, po humb vlerën dhe rëndësinë si zanat.

“Që nga mosha dhjetë vjeçare kam filluar ta punojë zanatin e rrobaqepësisë, dhe e mbajë mend shumë mirë se si është zhvilluar kjo punë në të kaluarën. Fatkeqësisht, nga aq shumë dyqane që ishin më përpara, sot kanë ngelur diku vetëm dhjetë prej tyre, dhe kjo tregon që ky zanat është në mbijetesë dhe pa interes nga klientët e gjeneratës së re. Unë çdoherë kam qenë i kënaqur nga veprimtaria ime si rrobaqepës dhe në këtë moshë tani, lirisht mund të them se jam njëri ndër më të vjetrit e Çarshisë që e kemi trashëguar dhe ruajtur këtë zanat”, rrëfen mjeshtri Nazmi. Ali po ashtu tregon se interesi ka rënë nga klientët dhe se nuk është ashtu sikurse ka qenë në të kaluarën, ndërkaq kjo, sipas tij, është si pasojë e globalizimit modern të prodhimeve të tekstilit. “Është më se e vërtetë që interesimi ka rënë dhe pak janë ato klientë që vijnë te rrobaqepësi, qoftë për të qepur ndonjë kostum, ose për të rregulluar ndonjë këmishë. Natyrisht, kjo është si pasojë e zhvillimit të tregtisë, zhvillimi të bizneseve të tekstilit e kështu me radhë”, deklaron ai.

Gjenerata e re, konkretisht rinia, vijon më tej ai, nuk ka më interes për ta mësuar ose trashëguar zanatin e rrobaqepësisë, dhe kjo, siç thotë mjeshtri i qepjeve, rrezikon humbjen e vlerës dhe ruajtjen e kulturës së Çarshisë. “Sinqerisht, nuk ka më vullnet dhe interes nga gjenerata e re për trashëgiminë e këtij zanati, por edhe vlera për ta mësuar. Të gjithë tanimë po shkollohen dhe mbarojnë arsim të lartë. Kjo është për tu përshëndetur, por është për të ardhur keq mos interesimi dhe vlerësimi i zanateve të vjetra, që me këto punë që kemi kryer, kemi mbajtur me bukë dhe shkolluar familjen. Unë zanatin e rrobaqepësisë ia kam trashëguar djalit tim, po ai nuk e ushtron pasi i njëjti ka mbaruar dramaturgjinë dhe aktron në filma të ndryshëm në Turqi dhe këtu”, tregon mjeshtri Nazmi.

Ai gjithashtu tregon se pandemia Kovid-19 ka ndikuar edhe më shumë tek profesioni i tyre, megjithëse shteti i ka ndihmuar zanatet me një shumë simbolike prej 6000 denarësh. Çarshia e Vjetër e Shkupit deri në njëzet vitet e fundit ka qenë vatër e komplekseve dhe dyqaneve artizanale që kanë ruajtur trashëgimin dhe vlerën kulturore të këtij monumenti historik, por viteve të fundit, dita-ditës dhe dalëngadalë po humben zanatet e arta që të parët i kanë punuar dhe kultivuar, dhe një prej tyre në mbijetesë është edhe zanati i rrobaqepësisë që ka ngelur me vetëm dhjetë dyqane të tilla. (koha.mk)