Rusia e ka pranuar për herë të parë se ka dërguar ushtarë të Koresë së Veriut në betejën për t’i zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, pasi ushtria ukrainase kreu një inkursion të papritur matanë kufirit me Rusinë verën e kaluar.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të shtunën se e njeh “kontributin e rëndësishëm” të ushtarëve koreanoveriorë në përpjekjet ushtarake të Moskës.
Duke cituar Traktatin për Partneritetin Strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut nga 4 dhjetori i vitit 2024, Ministria tha se “një faqe e re është shkruar në analet e lavdishme të vëllazërisë ushtarake të popujve rus dhe korean”.
“Ushtarët e Ushtrisë Popullore të Koresë… luftuan krah për krah, në të njëjtën llogore, dhe derdhën gjak me ushtarët dhe oficerët tanë në rajonin e Kurskut dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e tokës ruse nga armiku pushtues”, tha ajo.
Gjenerali Valery Gerasimov, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, i tha presidentit Vladimir Putin në një video-konferencë se ushtarët koreanoveriorë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në “çlirimin” e rajonit nga ushtarët ukrainas.
Me këtë Rusia e pranoi atë që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë thënë prej kohësh: se Pheniani dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar përkrah forcat ruse në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, i cili tani është në vitin e tij të katërt.
Zyrtarët amerikanë thanë se më shumë se 11.000 ushtarë koreanoveriorë morën pjesë në luftë dhe pësuan humbje të mëdha.