Rusia mban referendumet e rreme në rajonet e kontrolluara pjesërisht në Ukrainë

Një makinë ushtarake në Luhansk të Ukrainës, shihet afër një panoje në të cilin thuhet: “Me Rusinë përgjithmonë”.

Administratat e instaluara nga Rusia në katër territore ukrainase, që pjesërisht kontrollohen nga Moska, kanë nisur të mbajnë më 23 shtator të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Moska mëton që përmes këtij procesi të aneksojë rajonet ukrainase.

Administratat e Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjas, do të mbajnë këto referendume, të cilat bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në adresimin e tij ditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se votimet janë jodemokratike.

Liderët e instaluar nga Kremlini në këto katër rajone kanë thënë më 20 shtator, se planifikojnë të mbajnë votimet për aneksim prej 23 deri më 27 shtator. /rel/